Alarm te Vllaznia, dëmtohet Sukaj

Goleadori kuqeblu ka lënë stërvitjen përpara kohe, duke shqetësuar jo pak drejtuesit e Vllaznisë

Gaspër Marku

Dy ditë përpara sfidës shumë të rëndësishme, që do të luhet në transfertë me Flamurtarin, kuqeblutë marrin një goditje të rëndë. Bëhet fjalë për një dëmtim të sulmuesit kryesor të Vllaznisë, Xhevahir Sukajn, i cili gjatë një loje, që tekniku Gjoka po zhvillonte dje me skuadrën, ka ndier një shqetësim serioz në pjesën e pasme sipër kofshës së djathtë. Çdo gjë ka ardhur krejt papritmas, kur gjatë një goditje të topit prej Sukajt drejt portës kundërshtare, lojtari ka ndier një therje të fortë në këmbën e djathtë, duke e detyruar lojtarin të ndërpriste stërvitjen. Stafi mjekësor, me mjekun Çoba dhe fizioterapistin Haxhaja, janë gjendur menjëherë pranë “Xhevos”, dhe pasi kanë qëndruar për disa minuta në anësore të fushës kanë vënë në dijeni trajnerin Gjoka, se Sukaj nuk duhet të vazhdojë më procesin stërvitor.

Në fillim është menduar se gjithçka do të kalohej pa problem. Me ndihmën e shpejtë të mjekëve, Sukaj do të kthehej në fushë, por stafi mjekësor ka vendosur ta çojë atë në dhomat e zhveshjes. Menjëherë për stafin teknik kanë filluar “dhimbjet e kokës”. Sukaj konsiderohet si pika kryesore e skuadrës në fazën sulmuese dhe prej tij pritet kryesisht edhe shënimi i golit. Për më tepër, që gjatë gjithë javës, strategjia anti-Flamurtar është projektuar me Sukajn në majë të sulmit, tashmë Gjokës do t’i duhet të bëjë ndryshimet e duhura në këtë repart. Gjithsesi, drejtuesit mbesin me shpresë se gjatë orëve që kanë mbetur deri në përballjen zyrtare me vlonjatët, gjendja e Sukajt do të përmirësohet.

“Sport Ekspres” mësoi se me Sukajn është marrë seriozisht fizioterapisti Ilirjan Haxhaja, i cili ka punuar intensivisht për rreth dy orë me metoda bashkëkohore, për të normalizuar situatën e futbollistit. Burime pranë klubit të futbollit Vllaznia bëjnë të ditur për gazetën se një terapi e tillë intensive do të vijojë me Sukajn edhe deri në orët e mesditës të së premtes. Nëse do të arrihen të konstatohen shenja përmirësimi, në orën 14.00 kur skuadra do të nisë udhëtimin drejt Vlorës, Sukaj do të niset me skuadrën. Nga të njëjtat burime thuhet se duke shfrytëzuar edhe pushimin e mbrëmjes të së premtes dhe pjesën e tjetër të ditës së shtunë, të vijohet me terapinë në hotel, me shpresën se në orën 19.00 gjendja e sulmuesit kuqeblu të jetë e përmirësuar për të qenë në fushën e lojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *