Alarm te Besa, mungojnë titullarët!

0

Dje është shfaqur në miniaturë formacioni i mundshëm i Besës që do të zbresë të shtunën në Fushë Krujë në përballjen ndaj Ilirisë. Ndër gjërat me rëndësi që tërheq vëmendjen për këtë transfertë është rikthimi me shiritin e kapitenit të ekipit kavajas i Saimir Çelhakës. Mesfushori me tipare sulmuese që posedon përvojë të konsiderueshme në radhët e verdhezinjve, do të kompensojë mungesën për shkak skualifikimi të mbrojtësit Skerdian Perja. Ky i fundit, mori karton të kuq në ndeshjen e fundit që Besa fitoi 2-0 me Shënkollin dhe u dënua nga Komisioni i Disiplinës me dy javë pezullim. 26-vjeçari Çelhaka mbetet një nga shtyllat e ekipit kavajas në pesë vitet e fundit.

DËMTIMI – Në mbyllje të seancës stërvitore, e cila dje u zhvillua në fushën e stadiumit “Besa”, skuadra po kryente në një “format” të reduktuar një ndeshje kontrolli. Është dëmtuar në gju sulmuesi i ardhur vetëm pak ditë më parë nga Teuta Elidjon Mara. I është dhënë menjëherë ndihma mjekësore nga mjeku fizioterapist Ylli Sinani dhe pritet që nga sot lojtari të kryejë një cikël të plotë kontrolli në Spitalin e qytetit të Durrësit për të njohur më mirë shkallën e dëmtimit. Nga konstatimet fillestare të mjekut më së paku lojtari do të duhet të qëndrojë për afro një muaj pa e sforcuar gjurin.

MUNGESAT – Që në startin e gjysmës së dytë të kampionatit, Besës i duhet të përballet me disa mungesa kryesore. Që veçmas Skerdian Perjes, Elidion Marës, është edhe qendërmbrojtësi 19-vjeçar Denis Brahimaj. Lojtari me shumë perspektivë i prapavijës së Besës kishte marrë karton të kuq në ndeshjen e fundvitit të kaluar me skuadrën e të rinjve në fitoren 2-1 ndaj Teutës dhe nuk do të jetë e mundur që të bëhet pjesë e formacionit në transfertën e kësaj të shtune me Ilirinë. Edhe mesfushori shtatlartë Darlien Bajaziti, duke qenë se në tre ditët e para të kësaj jave ka munguar për arsye të një gjendje gripale, ndoshta nuk do të jetë në gjendje të luajë takimin dhe kontribuojë si titullar në formacion. Këto katër mungesa, për një skuadër me përbërje të re futbollistësh siç është Besa, duken ca si shumë. Megjithatë nga lëvizjet që u kryen dje duket se kavajasi Besmir Kullolli, i ardhur nga Tomori, i cili do ta nisë nga minuta e parë si titullar. Në sulm do të rikthehet Mateo Hasa, dubluar nga 16-vjeçari Tedi Cara.

Fatmir Efica

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here