Alarm i kuq, Ekuban është ndalur!

0

Për sulmuesin italian, golashënues i Partizanit këtë sezon, 270 minuta pa realizuar, ashtu sikurse ndodhi edhe mes tetorit dhe nëntorit 2016. Torasa, në një parabolë negative

Nga Anton Cicani

Ishte 30 tetori i vitit të shkuar kur Ekuban nisi një thatësirë sa i përket “shënjestrës” së portës kundërshtare dhe Partizani në ato tre ndeshje që vijuan (Skënderbeu, Luftëtari dhe Vllaznia), do të grumbullonte 3 pikë, me 3 barazime dhe vetëm dy gola të shënuar. Sulmuesi i huazuar nga Kievo do të rikthehej të realizonte ndaj Teutës në “Elbasan Arena”, thuajse një muaj më pas, ndaj Teutës… Pikërisht ndaj Teutës ka edhe golin e fundit në mini-krizën e tanishme, që sigurisht ndikon më shumë se atëherë, pasi koha për të rikuperuar pikë dhe rezultate është thuajse “zero”.

Kështu, duke përfshirë barazimin 0-0 ndaj Laçit në Tiranë, sulmuesi (autor i 15 golave deri tani) shkon në 270 minuta pa gol, praktikisht si në atë periudhë negative në 2016-n. Ndaj Tiranës, autorët e golave do të ishin Batha dhe Sukaj, ndërsa me Kukësin ishte një autogol ai që vendosi barazimin 1-1. Me kurbinasit, brenda në Tiranë, sërish barazim, por pa gola këtë herë. Dhe, nëse s’do të kishte qenë ai gol i shkodranit pak minuta nga fundi në derbi, do të ishte identike me atë që ndodhi nga fundi i tetorit në mesin e nëntorit, pra tre barazime (dy 1-1 dhe një 0-0). Sulmuesi ka tentuar të bëjë më të mirën, por ka qenë tepër konfuz dhde, në disa raste, me probleme fizike. Probleme që stafi i kuq është munduar të kamuflojë, mes kurave të shumta për sulmuesin italian.

Pesha –  Rëndësia e Ekubanit te Partizani është jetësore. Sepse, edhe pse Sukaj ka realizuar dy gola që kur ka ardhur (ndaj Teutës dhe Tiranës), golat e sulmuesit kanë sjellë – nëse merren edhe sipas momentit të shënuar dhe duke marrë për bazë rezultatin sa do të ishte pa atë gol ose me atë gol – plot 27 pikë. Të kuqtë kanë nevojë për golat e Ekubanit më shumë se kurrë në këtë moment, duke mbajtur shpresën e titullit ende “gjallë”, edhe pse me frymëmarrje artificiale, me sytë nga Kukësi-Skënderbeu, që do të vendosë shumë në ekonominë e renditjes.

Po Torasa? – Në sfidën nda Teutës, dopieta e tij fantastike ishte padiskutim një publicitet për kampionatin shqiptar dhe sidomos bëri që tifozët e Partizanit të besonin se ndoshta diferencën, këto javët e fundit deçizive, do ta bënte ai, por argjentinasi ka zhgënjyer totalisht si në derbin ndaj Tiranës, ashtu edhe me Kukësin e Laçin, duke shfaqur edhe probleme të vogla fizike. Jo vetëm kaq, por ka ndikuar jo pak edhe deklarata e bujshme e Luçiano Moxhit, këshilltarit të merkatos së kuqe, i cili e ngeli në klasë duke u shprehur se si një lojtar si ai luan te Partizani dhe fiton aq shumë (argjentinasi fiton 6-7 mijë euro në sezon) nuk mund të bëjë diferencën? Që pasi gazeta “Sport Ekspres” publikoi atë deklaratë, duket sikur argjentinasi nuk është më i njëjti. Madje, ka pasur shumë vështirësi, edhe psikologjike në këtë moment.

Torasa, që në dy fazat e para bëri diferencën, në të tretën nisi luhatjet disi, teksa edhe zëvendësimet e shpeshta të Starovës tregojnë se diçka nuk shkon. Këtë kampionat, sulmuesi ka luajtur 29 ndeshje, duke shënuar edhe 3 gola. Shumë më mirë se vjet, natyrisht, por në momentet deçizive, kur duhet të bënte diferencën është “fshehur”. Në fakt, në 29 ndeshje të zhvilluara, argjentinasi në 21 raste s’e ka mbaruar dot ndeshjen, pasi trajneri e ka ulur në stol. Në disa momente ka pasur edhe tension mes të dyve. Sakaq, edhe në stërvitjen përpara sfidës ndaj Laçit, ka pasur disa fërkime mes tij dhe Bathës. E ardhmja e tij, pas fjalëve të Moxhit, është e shënuar. Torasa do të largohet nga të kuqtë. Sezonin e shkuar ishte shumë pranë transferimit në Greqi, por Partizani e bindi të qëndronte, duke e kënaqur ekonomikisht.

15 gola

ka realizuar deri tani Ekuban me fanellën e Partizanit duke i dhënë plot 27 pikë. Nga 29 ndeshjem sulmuesi ka realizuar thuajse në gjysmat e tyre

21 Herë

Është zëvendësuar këtë sezon Torasa, duke u bërë futbollisti i Superligës që më shumë nga të gjithë s’e ka mbaruar një ndeshje të plotë

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image