Alarm bardheblu, Tirana humb dy javë Muçën

0

Olsi Avdiaj

Tirana humbet “shtyllën” kryesore në mbrojtje. Gentjan Muça do të mungojë në takimin e së premtes mes Tiranës dhe Skënderbeut. Lojtari, për tri ditë me radhë nuk ka qenë në stërvitje. Shkak është bërë një problem i vjetër i tij, dhimbja e shpinës. Mbrojtësi i qendrës, njëkohësisht edhe kapiteni i ekipit, ka pasur këto ditë dhimbje shpine që e kanë bllokuar. Muça është parë edhe duke çaluar, shkak nga një dëmtim kronik. Edhe pse luajti në sfidën me Korabin të shtunën e kaluar, ai nuk ia ka dalë që të jetë në fushën e lojës, për t’u stërvitur. Dhimbjet kanë qenë aq të forta sa nuk e lejojnë të stërvitet rregullisht, madje ai as nuk ecën rregullisht, por çalon. Në këto kushte, stafi mjekësor ka vendosur që ta lërë pushim disa ditë futbollistin, derisa ai të riaftësohet.

Në kontrollet mjekësore të zhvilluara dje është konstatuar i njëjti problem, dhimbjet e shpinës. Diagnoza është e qartë: lojtari duhet të pushojë për t’u riaftësuar. Sipas parashikimeve, lojtari do të jetë i gatshëm për të qenë me grupin pas dy javësh. Në këto kushte, futbollisti humbet ndeshjen me Skënderbeun dhe atë më Luftëtarin. Me të gjitha gjasat, Muça do të jetë në fushë në takimin e fundit të fazë së tretë me Vllazninë. Dëmtimi për Gentjan Muçën nuk është i ri. Prej muajsh mbrojtësi vuan problemin në shpinë. Edhe gjatë 2016-ës dhe 2017-ës, futbollisti ka pasur probleme të njëjta. Për të njëjtën arsye, Muça braktisi Antalian. Mirel Josa e stafi mjekësor, vendosën që Muça të kthehej në Tiranë për t’u riaftësuar. Futbollisti ka humbur edhe disa takime nga janari e në vazhdim, po për probleme fizike. Së pari, takimin me Teutën dhe Kukësin në kampionat, atë me ndeshjen me Kukësin të kthimit në Kupë.

Nga 24 ndeshje që janë luajtur deri tani, Muça është aktivizuar në 18 ndeshje, duke shënuar edhe një gol. Genti është një humbje e madhe për skuadrën bardheblu, pasi lojtari është kapiteni dhe shtylla kryesore e ekipit. Ai do të jetë një mungesë e pazëvendësueshme për sfidën e së premtes me Skënderbeun.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.