“Alamet lojtari!”, Agolli e nis me emocione, fitore dhe komplimente

Ansi Agolli ka provuar eksperienca të paharrueshme në karrierë, ku natyrisht të luajturit në Euro 2016 ishte një kulm i paarritshëm, por edhe pse tashmë është 36 vjeç dhe ka fituar trofe pa fund, mbrojtësi shqiptar emocionohet ende.

Fundjavën e shkuar ish-kapiteni i kombëtares shqiptare debutoi me New York Cosmos, në ndeshjen  hapëse të National Premier Soccer League në Amerikë.

Ishte një moment i veçantë për Agollin, i cili ka nisur një jetë të re në Amerikë, ndërsa më pas ndjenjat ia lanë vendin fushës dhe Ansi ishte si zakonisht, perfekt në krahun e tij, duke ndihmuar Cosmos të fitonte 2-0 ndaj New York Athletic Club.

Ishte një eksperiencë e mirë, ndeshja ime e parë“, tha Agolli pas ndeshjes, duke folur për faqen zyrtare të klubit (www.nycosmos.com) “Isha paksa i emocionuar para ndeshjes, sepse ishte një skuadër e re. Siç e thashë më parë, të luash për Cosmos është një përgjegjësi e madhe, për mua dhe gjithë ekipin. Isha i emocionuar para ndeshjes, ndërsa më pas në ndeshje gjithçka shkoi mbarë. Jam shumë i lumtur për rezultatin dhe për lojën e mirë në ndeshjen e parë“.

Ndonëse në teori është një mbrojtës, Agolli u duk një mesfushor, për depërtimet e shumta dhe kroset e rrezikshme që hodhi në zonën kundërshtare, natyrisht duke mos lënë asnjëherë boshllëqe në prapavijë.

Në futbollin modern, je i detyruar të bësh dy role njëkohësisht”, tha Agolli. “Tani anësorët, sidomos ata të mbrojtjes, duhet të ndihmojnë shumë sulmin dhe të gjejnë kohën e duhur për të sulmuar. Varet edhe nga trajneri. Trajneri ynë e pëlqen lojën me anësorë që avancojnë shumë në sulm. I përshtatet stilit tim, kam luajtur edhe më parë kështu“.

Trajneri Carlos Mendes ka komplimente për Agollin: “Ka sjellë te ne goxha lojë sulmuese dhe ndihmon shumë në sulm. Është lojtar që të entuziazmon. Është ende duke u përshtatur, po njihet me grupin, sistemin dhe mënyrën si luajmë. Është një ndryshim i madh për të, mendoj se do përmirësohet nga java në javë. Ka eksperiencë të madhe, na ndihmon me zgjuarsinë dhe kreativitetin e tij. Alamet lojtari!”.

Cosmos synon të kapë fazën play-off në korrik, por skuadra është ende në ndërtim e sipër, pasi 8 lojtarë kanë mbetur nga viti i shkuar.

Nuk është e lehtë“, tha Agolli. “Këtë radhë kemi bërë punë shumë të mirë, jemi stërvitur mirë. Nuk është e lehtë të marrësh maksimumin nga ndeshja e parë, sepse skuadra është e re. E kuptoj këtë gjë, duhet të punojmë shumë, sepse kemi shumë për të përmirësuar dhe sezoni është i gjatë“.

Prej një muaji në Amerikë, Agolli është rehatuar dhe ka marrë edhe familjen, ndërkohë që ka nisur të frekuentojë komunitetin shqiptar në Nju Jork.

Kam krijuar disa lidhje dhe kam gjetur njerëz shumë interesantë. Kishte disa shqiptarë edhe në ndeshjen e parë, në stadium. Shpresoj që të jenë sa më të shumtë në vazhdim“, tha Agolli.

Në ndeshjen e parë ishin 3,750 tifozë, shifër goxha e mirë për një ndeshje që nuk i përket MLS-së. “Shumë bukur”, tha Agolli.

E dija edhe më parë që Cosmos ka tifozët e vet besnikë. Jo shumë ekipe kanë tifozë të tillë. Kam parë tifozë të jashtëzakonshëm, i falënderoj që erdhën të na mbështesnin“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *