Akuzat ndaj Benfikës: Prostituta dhe hotele për arbitrat, e-maile të reja kërcënojnë klubin

0

Situatë e vështirë dhe e komplikuar për Benfikën. “Shqiponjat e Lisbonës” po akuzohen për korrupsion, duke tentuar të fiksojnë ndeshjet, nëpërmjet ryshfeteve dhe favoreve për arbitrat e ndeshjes.

Siç citon “Correio da Manhã”, Benfika akuzohet, së bashku me ish-këshilltarin ligjor Pedro Gonçalvesh dhe dy zyrtarë të tjerë, se janë përpjekur të fiksojnë rezultatet e disa ndeshjeve të kampionatit portugez.

Sipas “O Jornal Economico”, telenovela do të ketë një episod të ri. Portali raporton se do të dalin në pah disa e-maile, që provojnë se klubi i Benfikës i ka ofruar shërbime prostitutash arbitrave dhe iu ka paguar dhomat e hoteleve.

Hakeri portugez, Rui Pinto, për të cilin është lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, ka zbuluar informacionet në artikullin e titulluar “Merkato e Benfikës”. Një akuzë që ka sjellë reagimin e klubit portugez, që është përgjigjur në kanalin zyrtar të klubit.

“Po mbajmë një pozicion të qartë, atë që kemi shpallur dhe në fillim të kësaj historie. Nuk ekzistojnë faktet, që mund të justifikojnë ndonjë akuzë në këtë proces. Do të bëjmë gjithçka për të t’i dhënë fund këtyre akuzave absurde dhe të pajustifikuara”, komunikon klubi i Benfikës.

Çështja në fjalë vazhdon prej një muaji në Portugali dhe Prokurori Publik i vendit luzitan ka konfirmuar se nëse akuzat provohen, Benfika do të akuzohet për korrupsion aktiv dhe pasiv, favorizim personal, shkelje e sekretit të drejtësisë dhe informacion i rremë.

Sipas akuzës, zyrtarët e përfshirë i kanë transmetuar Pedro Gonçalvesh informata konfidenciale të lidhura me procedura të ndryshme kundrejt klubeve rivalë. Metodat për marrjen e tyre do të ishin ato të korrupsionit dhe shkëmbimit të favoreve. Pavarësisht reagimit të klubit, hetimi vazhdon dhe Benfika rrezikon shumë.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.