Akuza të rënda, Qaka dhe Stoikan mohojnë gjithçka

Kamer Qaka është rrethuar nga probleme të shumta gjatë kësaj vere. Shumë fjalë për të ardhmen e tij, kritika dhe në fund u la jashtë listës së Steauas. Mesfushori nuk donte që të largohej, por në fund u bind të rikthehej te Poli Iashi.

Për të mos mjaftuar kaq, për të është shkruar se ka sharë Steauan, gjë që është mohuar kategorikisht nga 23-vjeçari. “Unë kurrë nuk do ta shaj Steauan. U ndjeva vërtetë mirë atje, me djemtë dhe me stafin. Nuk e di nëse janë mërzitur tifozët, sepse nuk kuptoj mirë”, është shprehur fillimisht Qaka.

Më pas ai ka shtuar: “Nëse u vendos që të mos rri te Steaua, kjo është e gjitha dhe jeta vazhdon. Por unë kurrë nuk i kam sharë ekipet për të cilat kam luajtur”, është shprehur Qaka për “Digi Sport”. Edhe trajneri Flavious Stoikan ka hedhur poshtë lajmet e dala.

“Gjithçka është shkruar se Qaka ka sharë Steauan, nuk është e vërtetë. Gënjeshtra! Unë personalisht kam biseduar me të rreth Steauas, pasi isha i interesuar të dija gjendjen e tij shpirtërore. Ai me sinqeritet më ka thënë: ‘Mister, ndihesha kaq mirë atje…!”. Gënjeshtra, Qaka është një lojtar që nuk sjell shqetësime. Ai nuk është nga ata”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Poli Iashi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *