Akua-Mervejl “arratisen” nga Tirana

Dy lojtarët kanë bërë gati valixhet dhe janë “arratisur”, duke i dërguar një “ultimatum” klubit që t’i shesë sa më shpejt. Prej disa ditësh ata nuk janë në hotelin e skuadrës

Olsi Avdiaj
Mervejl Ndokit dhe Ruben Akua janë larguar nga Tirana. Nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare nga klubi, por prej katër ditësh ata nuk duken. Që të prej të premtes, ata janë të pakapshëm. Burime në klub kanë bërë me dije se futbollistët kanë bërë gati valixhet dhe janë larguar . Mesa është kuptuar ata do të shkojnë në destinacionin e tyre të ri, që me të gjitha gjasat do të jetë Osijeku. Por gjithsesi, burime pranë drejtuesve bardheblu bëjnë me dije se lojtarët janë larguar, ndonëse nuk dihet nëse për në ekipin e ri të tyre, apo se kanë vendosur kështu. Lojtarët u kanë bërë me dije drejtuesve vendimin që kanë marrë, duke u larguar nga klubi dhe për të mos u kthyer më tek Tirana. Mervejl është shprehur se nuk do të jetë në Kategorinë e Parë me Tiranën. E njëjta situatë edhe me Akuanë. Menaxherët e dy lojtarëve kanë gjetur ekipet e rinj për klientët e tyre dhe u kanë bërë të qartë drejtuesve bardheblu që futbollistët nuk do të jenë më pjesë të Tiranës, çka do të thotë se bardheblutë duhet të pranojnë ofertën që u ka ardhur në tavolinë. Nga ana e klubit ka vetëm heshtje. Thuhet nën zë se lojtarët do të largohen, por nuk ka asnjë detaj tjetër. Te Tirana nuk nxitojnë, por nga ajo që thuhet prej burimeve pranë klubit, është krijuar një bindje që këto orë janë vendimtare për transferimin e Mervejlit dhe Akuasë. Ekipi i ri mbetet për t’u mësuar nga të gjithë, por puna për shitjen e mesfushorit nga Kongo dhe Akuasë është intensive. Mervejl u paraqit mjaft mirë vjet në kampionat, duke u aktivizuar në 29 takime. Ai arriti të shënojë edhe pesë gola në Superiore, por me shpejtësinë dhe driblimet “dehëse’ ishte një problem konstant për lojtarët kundërshtarë. Cilësitë e tij nuk mbeten pa rënë në sy dhe tanimë ai është drejt kalimit në një kampionat më të fortë, ku edhe përfitimet financiare të tij do jenë disa herë më të mëdha. Veç Osijekut që është në “pole” për të marrë afrikanët, ofertat për Mervejlin nuk mungojnë edhe nga skuadra të tjera dhe bardheblutë kërkojnë që të mos u ikë nga duart kjo mundësi për të përfituar një shumë të konsiderueshme financiare. LASK Linz dhe Goztepe kohë më parë kanë trokitur në dyert e Tiranës, duke bërë edhe ofertat zyrtare, por presidenti Halili nuk është dorëzuar para 350 mijë eurove të turqve, të gatshëm për t’ia derdhur këtë shumë menjëherë në llogaritë e klubit 24-herë kampion në vend. Nga Austria janë munduar t’i bindin me bonuse dhe 10% të përfitimeve nëse ata do e shesin sërish Mervejlin. Guingamp dhe Dijon është thënë se po e ndjekin Mervejlin, duke shqyrtuar mundësinë për të bërë një ofertë zyrtare te Tirana. Të dyja klubet garojnë në Ligue 1 dhe kongolezin kjo sigurisht që e “josh”, por duhet kënaqur edhe Tirana, që me të drejtë kërkon të përfitojë nga shitja e tij. Më parë në mediet franceze është shkruar edhe për një interesim nga Anxhers dhe Amiens. Ku do të luajnë Mervejl dhe Akua sezonin e ardhshëm? Kjo mbetet për t’u parë, por një gjë është e qartë. Dyshja afrikane është “arratisur nga klubi”, për të mos kthyer më.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *