Akord Shqipëri-Iran edhe për meritë të Balajt!

Presidenti i FSHF-së, Duka, në Teheran, ka takuar dhe sigluar një akord me homologun Taj. Shkëmbim eksperiencash, miqësore, turne por edhe ndërrim arbitrash, ashtu si me Maltën sezonin e shkuar

Kristian Panuçi ka siguruar një miqësore për vitin e ardhshëm dhe ajo pritet të jetë përballë Iranit. Por, edhe gjyqtarët shqiptarë do të mund të provojnë eksperiencat e tyre në tokën iraniane dhe duke drejtuar skuadrat e kampionatit të këtij vendi, ashtu sikurse bënë në tokën malteze këtë sezon.

Kjo pasi federata shqiptare e futbollit dhe federata iraniane e futbollit kanë nënshkruar dje një marrëveshje bashkëpunimi në të gjitha fushat. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe homologu i tij Iranian, Mehdi Taj kanë sigluar në Teheran në selinë e Federatës së Futbollit të Iranit edhe marrëveshjen përkatëse e cila lidh ngushtë në një bashkëpunim intensiv në të ardhmen këto dy federata, duke konsistuar fillimisht me ndeshjet miqësore me të gjitha skuadrat kombëtare, organizimin e turneve miqësorë, shkëmbim të lektorëve mbi kurset e edukimit të trajnerëve.

Po kështu, edhe në fushën e arbitrimit, marrëveshja parashikon shkëmbim të arbitrave mes dy federatave, apo lektorëve të arbitrave, si dhe trajnime të stafeve të niveleve të ndryshme. Për faqen zyrtare të FSHF-së, pas kësaj marrëveshjeje, presidenti Armand Duka u shpreh: “Jam i kënaqur në këtë vizitë zyrtare në Federatën e Iranit, por mbi të gjitha, për arritjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi në shumë fusha mes FSHF-së dhe Federatës së Iranit. Duke shprehur angazhimin maksimal timin dhe të Federatës Shqiptare të Futbollit, së bashku me homologun tim, zotin Taj dhe vetë Federatën iraniane do të nisim një bashkëpunim të ngushtë, që me ndeshjet miqësore me ekipet kombëtare dhe deri te shkëmbimi i eksperiencave, mes dy institucioneve në nivele të ndryshme. Shkëmbim shumë pozitiv eksperiencash që do të vlejë maksimalisht për futbollin e të dy vendeve”.

Ndërkohë, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, presidenti i Federatës Iraniane, Mehdi Taj, tregoi edhe për interesimin rreth këtij shkëmbimi eksperiencash. “Shqipëria ishte në një grup me Spanjën në kualifikueset e Botërorit dhe ka luajtur edhe kundër Portugalisë, duke e mundur një herë.

Kjo është diçka e mirë, të cilën ne mund ta shfrytëzojmë”, tha Taj, duke bërë të qartë se do të kishte shkëmbim të informacioneve teknike e taktike që dispononin dy federatat sa u përkiste përgatitjeve për duelet në fjalë. “Një miqësore me Shqipërinë është e parashikuar në kontratën që nënshkruam.

Por ajo mund të zhvillohet në një shtet tjetër”, tha Taj për mediet e vendit të tij duke shpjeguar se kishte njohuri të mjaftueshme për futbollin shqiptar. “Ervin Bulku (i pranishëm në këtë takim) ka luajtur tre vite këtu, kemi pasur edhe Sukajn që ka luajtur te Sepahan. Pastaj kemi futbollistin e ri Reza Karimi i cili luan në kampionatin shqiptar. Shpresojmë që të kemi më shumë bisedime të mira sa u përket transferimit të lojtarëve në dy vendet”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *