Ajaksi në garë për tripletën, federata i vjen në ndihmë

Askush nuk do e besonte se Ajaksi do të gjendej në luftë për tripletën në fund të muajit prill. Ja që futbolli nuk rresht kurrë së surprizuari. Ekipi i famshëm nga Amsterdami ka zhvilluar një sezon të madh deri tani, mbi të gjitha nëpërmjet një futbolli të mrekullueshëm.

Vendi i parë në kampionat, në të njëjtën kuotë pikësh me PSV, dy ndeshje larg finales së madhe të Champions Ligës dhe finalja e Kupës së Holandes që do të luhet kundër Uilem II.

Eliminimi i Juventusit dhe arritja në gjysmëfinale të kompeticionit më të rëndësishëm për klube ka detyruar federatën holandeze të bëjë një modifikim. Ndeshja e parë kundër Totenhemit zhvillohet me datë 30 prill.

Java e parafundit e kampionatit holandez zhvillohet dy ditë më para. Kohë e pamjaftueshme për “harkëtarët” për të përgatitur duelin kundër “Spurs”, kështu që është shtyrë e gjithë java.

Diçka e tillë nuk i kënaq të gjithë, sidomos PSV, rivalët për titullin kampion. “Është e pamundur t’i kënaqim të gjithë, por gjithë futbolli holandez përfiton”, lexohet në komunikatën e KNVB (federata holandeze e futbollit). Kjo javë është vendosur të zhvillohet me datë 15 maj, pikërisht tre ditë pas javës që ishte menduar se do të ulte siparin e kampionatit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *