Ahmataj shkel te Tirana si trajner me premtim: Titulli në Superiore, shans i madh

Ahmataj ka marrë vendin e trajnerit te Tirana pas shkarkimit të Memës. Ambienti te bardheblutë nuk është aspak i mirë, pasi po përsëriten makthet e sezoneve të shkuara.

Megjithatë kërkohet që të hapet një epokë e re dhe kërkesa është sërish titulli kampion. Në 100-vjetorin e klubit dhe mes shumë investimeve që ka bërë presidenti Refik Halili, nuk ka një tjetër qëllim.

Këtë e di më së miri edhe trajneri Julian Ahmataj që ka dhënë premtimin në intervistën e parë si trajner i Tiranës për “Supersport”, duke theksuar titullin kampion.

“Dua të falënderoj njerëzit që ma besuan këtë detyrë, veçanërisht presidentin Halili. Është një shans që të vjen apo nuk të vjen një herë në jetë dhe unë dua ta shfrytëzoj. Do të jap më të mirën time dhe do të bëj maksimumin që Tirana të dalë kampion. Unë nuk mund ta garantoj këtë, sepse kampion dilet në muajin maj, por premtoj se do të jap më të mirën time, që të arrijmë te rezultatet pozitive. Kam një grup shumë të mirë lojtarësh, që është ndërtuar shumë mirë dhe për këtë falënderoj ish-trajnerin Mema. Kam miqësi më të, është një njeri i përsosur dhe më vjen keq që është larguar nga skuadra. Puna jonë kjo është, duhet të shohim përpara. Respekt pa fund.

Kur e sheh nga jashtë skuadrën, ka të tjera gjëra dhe kur e sheh nga brenda ka të tjera. Nuk kemi ardhur për të gjetur fajtorët dhe ata që kanë gabuar. Duhet të shohim përpara dhe nëse shpallemi kampion merita do të jetë e futbollistëve.

Nuk do të doja të filloja në Gjirokastër, sepse kam respekt për atë ambient. Ka një skuadër të mirë që besoj se do të na hapë punë.

Në futboll ka një gjë, ose di ta bësh, ose nuk di ta bësh punën. Po të mbledhësh pikët që kam marrë me Luftëtarin, sot mund të isha në vend të parë. Në një skuadër të madhe ti ke më shumë probleme, më shumë alternativa, që në fund të vënë para përgjegjësisë për të bërë zgjedhje.

Unë nuk kam bërë asnjë mrekulli, atje ku punoj vë njerëzit në pozita punë. Se sa të aftë do të jemi, mbetet për t’u parë. Në futboll duhet të fitosh. Nuk kam marrë ndonjë skuadër që të humbas, ose të barazoj. Duhet të fitosh çdo ndeshje në futboll.

Do bëj maksimumin që t’ia jap titullin, bashkë me lojtarët. I uroj suksese të gjithëve, edhe duke qenë 100-vjetori i klubit”, ka thënë Ahmataj. /Sport Ekspres/