Ahmataj dhe sfida e tij, kush është trajneri i ri i Kamzës?

“Të gjithë idetë e trajnerëve janë fituese dhe humbëse në të njëjtën kohë. Futbolli më së shumti varet nga këmbët e lojtarëve”. Horge Valdano. “Unë do të punoj më shumë se 100%, që ta përmirësoj këtë skuadër qoftë dhe 120%”. Julian Ahmataj. Cili është trajneri i ri i Kamzës? Idhull ka Guardiolën, por njësoj si Valdano zgjodhi të bëhej trajner, sepse është i vetmi vend në fushë ku megjithëse nuk luan, je në një gjendje nirvana. Para teje janë futbollistët, mbrapa janë tifozët. Idhull ka Guardiolën, por për momentin i duhet të bëjë Antonio Konten. Puna e trajnerit zgjat 90 minuta, pas çdo ndeshjeje ai fiton ose humbet një tjetër punë. Nëse jep gjithçka, një ditë do fitosh.

Si lojtar e kishte më të thjeshtë. Talent i padiskutueshëm dhe më pas përvojë njësoj e padiskutueshme. Elbasani, Dinamo, Partizani, Tirana, Flamurtari, Teuta. Ka fituar gjithçka që ofron futbolli në vend, derisa më pas tha ‘mjaft’. Jo nga futbolli, por nga fusha. Saki thotë që të bësh trajnerin duhen 4 gjëra: Sy, durim, kujtesë dhe fat shumë fat. Mbi të gjitha duhet dhe një shans. Pas një përvoje në kupat e Europës te Teuta, më pas Ballsh, Kavajë, Peshkopi dhe Burrel. Çfarë stazhi. Jeta është e çuditshme. Në Burrel e thërritën në janar për t’i shpëtuar. Burreli kishte 6 pikë dhe as lutjet nuk i bënin më punë. E shpëtoi deri në një farë mase, 10 ndeshje, 6 fitore 3 barazime dhe 1 humbje. Kur do i jepte projektit të tij një goditje përfundimtare, vjen një telefonatë nga Kamza. “A je gati për Superiore?”. “Për momentin kam sytë, durimin dhe kujtesën, të thotë në konfidencë, por më duhet fati”.

Kamza ka 34 pikë, Vlaznia 33, Teuta 30. Kanë mbetur dhe 8 ndeshje. Njëra nga këto të treja do bjerë. Ndeshjet direkt i luan jashtë fushe. Ky po që është ekuacion. Nëse shpëton është një hero, por nëse nuk ia del? “Unë do ia dal”, tha Ahmataj në daljen e parë publike. Lojtarët i njeh mirë dhe pothuaj të gjithë e pëlqyen idenë e tij si trajner. Pothuaj, sepse ai që nuk luan nuk e do asnjëherë trajnerin. ‘Trajneri më i mirë është ai më aktivizon’, ka thënë Skilaçi, ylli i Italisë në Botërorin ’90. Ahmataj i ka idetë e qarta. Pikët vlejnë gjithçka, por është ai ende në proces rritjeje. Van Basten ka thënë: në 10 trajnerë, njëri më ka mësuar diçka, 3 kanë lënë shenjë, 6 për pak nuk më shkatërruan. Ahmataj dëshiron të jetë te 4 të parët. Të shpëtojë klubin dhe të bëjë lojtarët për vete. A është ky një mision i pamundur?

Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *