Ahmataj: Besa po hedh “themelet” e së ardhmes

0

Fatmir Efica

Janë pushim sipas kalendarit të javës së 23-të. Por nuk e quajnë këtë pushimin si një “shërbim” për vetë momentin e mirë që po kalojnë. Do të luajnë sot në ora 16:00 në stadiumin “Besa” të Kavajës dy ekipet që janë aktualisht kryesuese pas 22 javëve të deritanishme në grupet “A” (Besa) dhe “B” (Turbina). Zgjedhja për të luajtur sot është bërë dhe për faktin që e shtuna do të jetë një ditë studimi për stafet teknike të Besës e Turbinës, për kundërshtarët që do të luajnë në grupet e tyre. “Na shërben shumë kjo ndeshje, – u shpreh dje trajneri i Besës Juljan Ahmataj, i kënaqur që kishte gjetur akordin me homologun e tij Sian Bardhi që drejton Turbinën. “Kampionati është në kulmin e tij dhe ky test mban në “nervin” e duhur tërë punën e përpjekjet tona si ekip që pavarësisht se nuk jemi në pesëshen e parë, po i pasqyrojmë në ndeshjet me kundërshtarë më modestë që kemi përballë. E vlerësojmë Turbinën që ka të njëjtin pozitë si dhe ne. Prandaj, edhe kjo miqësore ndaj cërrikasve është një ndihmesë që kjo fundjavë të kalojë, pavarësisht se nuk jemi të impenjuar në ndeshje zyrtare, ta vlerësojmë edhe këtë miqësore si një ndeshje normale. Zgjodhëm luajtjen në Kavajë, pasi takimin e radhës ne kemi në fushën tonë dhe kjo na ndihmon të parapërgatitim sa më mirë dhe sfidën e radhës”, shtoi Ahmataj.

FORMACIONI – “Në takime të këtij karakteri, nuk bëhet fjalë për t’i qëndruar “stoik” një formacioni detyrimisht me titullarë. Do të alternojmë një grup futbollistësh që për momentin ndodhen vërtetë në formë. Në pjesën më të madhe të kohës së kësaj ndeshje, ndaj Turbinës, do ja besojmë kësaj kategorie lojtarësh. Në minutat e fundit, do të gjejmë kohë të akvizojmë edhe futbollistë që iu është dhënë mundësia më pak se të tjerët për të luajtur në takimet e kampionatit. Nuk do të jetë kurrsesi ai formacion që do të zbresë në fushë më 15 prill ndaj Mamurrasit në Kavajë. Nuk e them këtë se do të na “vjedhin” skemën. Pasi tani ajo që vendos më shumë se skemat është shpirti dhe grinta kolektive.

BILANCI

Ka deri më tani vetëm një miqësore të luajtur mes Besës e Turbinës. Saktësisht 7 vite më parë, më 13 mars 2010 në Kavajë. Besa që në atë sezon jo vetëm ishte në Superiore por kishte një shkëlqim rrezatues sepse u shpall edhe fituese e Kupës dhe e Superkupës së Shqipërisë, fitoi thellë 5-1 ndaj cërrikasve. Shënues ishin D. Xhafa 18’, 38’, E. Fagu 40’, R. Arapi 66’(11-m), V. Sinani 84’ ndërsa golin e vetëm të cerrikasve e pati realizuar E. Kafazi 50’.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here