Ahmataj: Barazimi ishte maksimumi që mund të merrnim

Trajneri i Luftëtarit, Julian Ahmataj, foli pas ndeshjes me Tiranën për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, ku tha se për mënyrën si erdhi sfida, barazimi ishte maksimumi që mund të merrte skuadra e tij. Mes të tjerash, kreu i pankinës së gjirkastritëve tha:

NDESHJA – “Jam i pakënaqur me atë që dhamë në fushën e lojës dhe unë jam fajtori i parë. Skuadra më dha shumë besim, që mund të tentojmë më shumë, mund të vinim në vështirësi skuadrën kundërshtare, por nuk ia dolëm te jemi gjatë gjithë kohës të rrezikshëm. Kundërshtari mund të na kishte shënuar edhe gola të tjerë”.

PRAPAVIJA – “Përballë kishim një skuadër shumë të fortë. Në varësi të skuadrës që ke përballë, bën dhe strategji. Tirana ka një ekip shumë të fortë dhe shpeshherë na kanë vënë në vështirësi. Kjo gjë na detyroi të kthehemi më prapa, por dhe lodhja fizike. Kemi dhe shumë mungesa, Ramadani, Rrapa, Hoxha luajti i dëmtuar. Më vjen mirë sepse siç erdhi ndeshja, rezultati shkoi në barazim. Kjo pikë na shërben për vazhdimësinë”.

LLOGARI – “Jo, nuk ishte një barazim me llogari. Nga një ndeshje, duhet të marrim maksimumin e skuadrës në atë ndeshje. Në këtë takim, morëm maksimumin që mund të merrnin. E rëndësishme ishte të mos e humbnin këtë ndeshje në një ditë jo të mirë tonën. Po t’i referohesh ndeshjes, kjo ishte një nga më të dobëta tonat”.

LOJTARËT E RINJ – “Ne duhet t’i japim eksperiencën e duhur lojtarëve të rinj, të marrin dhe ata minutat që iu takojnë. Fillimisht, lojtarët e rinj duhet të stabilizohen fizikisht, pasi nuk kanë luajtur në fazat e para të kampionatit. Kanë ndjerë vështirësi në lojë”.

RAMADANI DHE GJYKIMI – “Nuk merrem me gjykimin, kurrë nuk do të merrem. Merret dikush tjetër me këtë aspekt. Ramadani? Ka qenë i dëmtuar, ka filluar të stërvitet individualisht. Para dy ditësh, i është bashkaur grupit, por nuk e ka kaluar ende periudhën e rikuperimit”, u shpreh Ahamtaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *