Agonia e një bomberi, Sadiku: U përlota për Kombëtaren

Dëmtim në gju, operacion dhe prej muajsh jashtë fushe. Armando Sadiku është një prej emrave më të rëndësishëm që i mungon Shqipërisë. Dhe Kombëtarja i mungon po aq shumë sulmuesit, i cili për “SuperSport” tregoi të gjithë vuajtjen duket e parë ekipin në këtë situatë të vështirë.

DËMTIMI – “Kam gati tre muaj e gjysmë, që çdo ditë kam bërë fizeo-terapi. Po përmirësoj kondicionin fizik dhe në muajin dhjetor do të nis punën me topin, në mënyrë që në janar të stërvitem në 100 për qind me ekipin”.

KOMBËTARJA – “Në ndeshjen ndaj Skocisë, edhe pse nuk isha në fushën e lojës, mendoja se po të isha aty do të ishte një nga ndeshjet më të dobta në karrierën time. Madje, edhe nga ekrani më është dukur si një prej ndeshjeve të mia më të dobta. Më kanë dalë lot, për atë që kemi ndërtuar në gjithë këto vite dhe të vjen shumë keq të pësosh një humbje të tillë. Jam një tip emocional dhe jam përlotur”.

EKIPI – “Kam rregullisht kontakte me të gjithë ekipin, me lojtarët më të vjetër, që kemi qenë gjithmonë në Kombëtare. Pas ndeshjes me Skocisë, vetëm i kam ngushëlluar. I kam dërguar një mesazh, ku i shkruaja: Mos u mërzisni, kohë më të mira do të vijnë. Duhet të jemi gjithmonë pozitivë. Gjërat duhen marrë me qetësi dhe nuk duhet drejtuar gishti vetëm nga trajneri. Nuk është fundi i botës që nuk u kualifikuam në Ligën e Kombeve. Nuk i bëjmë mirë askujt vetëm duke akuzuar”.

ZGJIDHJA – “Në këto momente, i gjithë ekipi duhet të mblidhet më tepër se kurrë. Të flasë për shumë orë dhe të zgjidhë problemet. Kështu bëm para ndeshjes me Izraelin, ku më pas arritëm të fitonim 3-0 vitin e kaluar. Kjo do të ishte mënyra më e mirë. Do ti kërkoja lojtarëve më të rinj që të japin 120 për qind nga vetja e tyre, ashtu si kemi bërë të gjithë kur kemi veshur atë fanellë. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”.

UZUNI – “Myrto është një nga të vetmit futbollistë, që e ka treguar veten, duke bërë ndeshje shumë të mira dhe tashmë është në formacion. Pas mungesave dhe dëmtimeve, ndaj Uellsit trajneri duhet të aktivizojë disi më tepër lojtarët që janë më të freskët”.

PANUÇI – “Është një trajner më ofensiv, gjithmonë në stërvitje provonte të luante me dy sulmues. Ne ishim mësuar disi me atë skemën e De Biazit, ku ishim më të kujdesshëm në mbrojtje. Kur erdhi Panuçi, që kërkonte lojë sulmuese, nuk gjetëm ato balancat. Pastaj janë ndryshimi i shumtë i lojtarëve dhe rezultatet. Me një ecuri të tillë trajneri natyrshëm që nuk është i qeshur, sepse nuk ka për çfarë të buzëqeshë”.

SKEMA – “Nuk e di si do të luajë misteri kur unë të kthehem. Ndoshta ndaj Uellsit e praktikon skemën pak më mbrojtëse, por nuk e di. Misteri i ka provuar të gjitha dhe asgjë nuk po shkon. Duhet parë se çfarë ndryshimesh do të bëjë duke nisur nga kjo miqësore”

KOMUNIKIMI – “Me Panuçin kemi biseduar përpara se të dëmtohesha, ku më sqaroi përse nuk u grumbullova në miqësoret me Ukrainën dhe Kosovën. Prej dëmtimit nuk kam patur kontakt, por vetëm i kam dërguar mesazhe urimi për ndeshjet. Në Izrael u takuam vetëm pak minuta, por nuk kemi patur shumë kontakt”.

BARDHI – “Më bëhet qejfi që Enisi po paraqitet mirë. Kur u transferova te Levante, po kalonte një moment gtë vështirë, por tani po bën shumë mirë dhe jemi shumë të afërt. Shpesh i them se duhej të kishte luajtur për Shqipërinë. Edhe ai do ta dëshironte diçka të tillë, por gjithmonë më thotë: ‘O vëllai, po nuk më kanë telefonuar asnjëherë’”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *