Agim Canaj skanon Superioren: Boll me aludime, Partizanit i veçoj… Gegën!

0

Kategoria Superiore nisi të premten ndeshjet e fazës së tretë të saj që përkojnë me javën e 19-të. Në pesë ndeshje u shënuan 14 gola, ndërkohë që specialisti i futbollit Agim Canaj nuk shikon ndonjë ndryshim nga 18 ndeshjet që janë luajtur në dy fazat e para të këtij sezoni.

Për SportEkspres.com, Canaj e veçon fitoren e Partizanit ndaj Skënderbeut, e në veçanti trajnerin Gega për përshtatjen që u ka bërë futbollistëve në fushë, ndërsa për dy rezultatet e thella: Luftëtari-Kastrioti 1-5 dhe Tirana-Kamza 4-1, isht-tekniku thekson se ka disa faktorë që ndikojnë negativisht.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në pesë ndeshjet e javës së 19-të, çfarë u pa ndryshe nga 18 ndeshjet e luajtura në dy fazat e para?
-Mendoj se në ndeshjet e javës së 19-të nuk pamë ndonjë ndryshim të madh në raport me 90 ndeshjet që janë luajtur në dy fazat e para. Nisur nga rezultatet, por edhe nga loja në tërësi, duket një garë shumë e luftuar dhe skuadrat po tregojnë se nuk kanë shumë diferenca mes tyre.

Cilën ndeshje e veçoni si më të mirën e kësaj jave, jo vetëm nga rezultati?
-Natyrisht atë që u luajt në Korçë, Skënderbeu-Partizani 0-1. Sepse në këtë ndeshje ishin prezente në fushën e lojës të gjithë elementët e një sfide mes skuadrave të mëdha. Kjo ishte një fitore ndaj kampiones në fuqi, si dhe për faktin se Skënderbeu vinte pas disa humbjeve resht.

Fitorja e Partizanit në Korçë, e konsolidon më shumë kreun nga “Demat e kuq”?
-Partizani tregoi se di të menaxhojë ndeshje të vështirësisë së lartë dhe me këtë fitore e rikuperioi shumë anën psikologjike. Dua të veçoj këtu inteligjencën teknike të trajnerit Skënder Gega, i cili ka ditur ti përshtatë vlerat e futbollistëve në fushën e lojës. Ky është detaj pozitiv për Partizanin.

Dy skuadrat e vendeve të fundit, Kamza e Luftëtari janë “dendur” në gola, priteshin këto rezultate?
-Te Tirana e prisja fitoren ndaj Kamzës, por jo me atë rezultat të thellë, dhe këtu mendoj se ndikoi dalja nga loja me karton të kuq i një futbollisti të Kamzës, dhe gabimet e saj në mbrojtje. Te Luftëtari ka disa faktorë që ndikojnë negativisht, duket një ekip pa moral dhe pa forcë.

Me humbjet që pësuan Skënderbeu e Luftëtari, mund të themi se ka patur tolerime?
-Unë nuk i besoj si të tilla këto humbje, sepse në futboll po shohim rezultatet shumë më të çuditshme dhe nuk ka aludime. Këtu në Shqipëri është ndryshe, kur ka rezultate të tilla si në Gjirokastër e në Tiranë, menjëherë kalohet në ekstrem. Duhen prova, jo aludime mediatike.

Java e 20-të është e shtrirë në tri ditë, sa shërben një kalendar i tillë?
-Në Kategorinë Superiore kështu është vepruar në kalendar. Kjo shtrirje në tri ditë ka disa arsye, dhe të parën mendoj se është e drejta televizive, e cila bën mirë për shikueshmërinë. Një garë më e mirë do të ishte që ndeshjet të luheshin në dy ditë, sepse jemi në fazën e tretë.

Cilën nga ndeshjet e kësaj jave e veçoni si më të fortën, apo edhe më interesanten?
-Në tërësi, kalendari i javës së 20-të ka ndeshje interesante, por me e fortë do të jetë ajo mes Tiranës e Teutës. Bardheblutë vijnë pas fitores me Kamzën dhe kanë moral të lartë, durrsakët vijnë pas barazimit me Flamurtarin dhe do kërkojnë pikë. Të tjerat janë normale për javën.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.