Agim Canaj flet si “shkodran”: Vllaznia një perlë e futbollit tonë, i lumtur që kthehem

Vetëm 24 orë pasi u bë publik lajmi se Agim Canaj do të ulet në pankinën e Vllaznisë, sot ka ardhur edhe zyrtarizimi nga drejtuesit e skuadrës shkodrane. Canaj u është përgjigjur edhe mediave të interesuara për këtë pozicion të tij, duke deklaruar se si profesionist, ofertën e ka pranuar pa kushte. “E pranova pa kushte këtë ofertë, në aspektin profesional. Por Vllaznisë nuk mund t’i them “Jo”, kjo edhe për respektin e hershëm që kam për këtë skuadër të madhe, të cilën e quaj një “perlë” në futbollin tonë”.

Duke qenë në një pozicion ndryshe nga herët e tjera që ka drejtuar Vllazninë, Canaj këtë ua ka komunikuar edhe futbollistëve në takimin e parë me skuadrën. “Për mua ky është një moment ndryshe nga herët e tjera kur kam qenë te Vllaznia, por tani na duhet që ta çojmë më përpara punën që është bërë nën drejtimin e kolegut tim Hasan Lika. E vlerësoj dhe e respektoj në maksimum kontributin e tij, por detyra jonë është që ta çojmë edhe më përpara kontributin e tij. Vllaznia është emër i madh dhe duhet ta çojmë aty ku i takon”.

Ndërsa për projektin e tij te Vllaznia, Agim Canaj deklaron se marrëveshja është deri në fundin e këtij sezoni. “Do ta shpresoja një projekt afatgjatë me Vllazninë, por marrëveshja ime aktuale është për deri në mbyllje të këtij sezoni. Më pas do ta shohim edhe mundësinë për vazhdimin e bashkëpunimit për sezonin tjetër”, tha Agim Canaj.

AGRON KAJA

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *