Afrojnë finalet, Flamurtari përforcohet me serben Zorica Mitov

0

Flamurtari në basketboll për femra ka kryer dhe një tjetër goditje në merkato, kur po afron faza finale e sezonit.

Me synimin për të vazhduar me marrjen e titullit kampion, Flamurtari është përforcuar përsëri, ndërsa ka marrë një tjetër lojtare nga kampionati serb. Skuadra nga vjen lojtarja është Vrshac, e cila renditet në vendin e katërt në kampionatin vendas.

Ardhja e kësaj lojtareje cilësohet një përfocim me shumë vlera, ndonëse rruga drejt titullit do të jetë shumë e vështirë. Zorica Mitov luan në pozicionin e qendrës dhe është e gjatë 1.90 metra. Serbja do të jetë gati që në ndeshjen e së shtunës në mesditë në Vlorë përballë Goga Basket, e cila është pretendente serioze për titull kampion.

Ndërkohë, vetë Mitov për “Sport Ekspres” dhe për “RTSH Sport” pranon se ka bërë zgjedhjen e duhur, teksa ka ardhur në Vlorë për të marrë titullin kampion.

“Zgjodha Flamurtarin për vetë historinë që ka në basketbollin shqiptar – ka konfirmuar basketbollistja serbe – por në të njëjtën kohë kam ardhur në një skuadër, e cila kërkon titullin kampion. Të shtunën kemi një ndeshje të vështirë me Goga Basket, por unë jam e bindur se do t’ia dalim me sukses dhe do të fitojmë. Unë jam e bindur se Flamurtari ka kualitete në gjirin e vet dhe nuk ka problem asnjë kundërshtar. Ndaj dhe kërkon fitoren. Titulli kampion nuk diskutohet që do ta marrë Flamurtari. Këtë duhet ta dinë mirë rivalet tona, që mesa dinë kanë marrë përforcime, por titulli është përsëri në Vlorë”.

Në prag të ndeshjes me Goga Basket ka folur dhe trajneri i Flamurtarit, Viron Toska, i cili ka konfirmuar se skuadra e tij në çdo ndeshje hyn për të fituar: “Ne në çdo ndeshje luajmë për të fituar dhe kjo nuk ka diskutim që do të ndodhë dhe me Goga Basket. Edhe këtë vit kërkojmë titullin kampion. Të shohim një herë ndeshjen me Goga Basket dhe më pas kë do të kemi rival në gjysmëfinalet e play-off për titull. Megjithatë e theksoj dhe një herë duam titullin, sikurse duam dhe Superkupën, të cilën do ta luajmë përballë të njëjtit rival të martën e ardhshme. Pra Flamurtari është destinuar për trofe”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here