Abedin dhe Adnan, shikim të këndshëm të Europianit!

1

 

Për ne shqiptarët, mbiemri Januzaj është i barazvlefshëm me fjalën “pa identitet”, kështu që edhe nëse zgjedh Ishujt Fizhi për të përfaqësuar, nuk është se përbën lajm

Anton Cicani

Duke “lundruar” në internet ditën e djeshme, në shumë portale kryesisht kosovare, lexoje me bujë të madhe lajmin se Adnan Januzaj mund të luante për kombëtaren e Kosovës pasi kjo e fundit të pranohej në UEFA dhe FIFA (diçka që do të ndodhë), ndoshta duke marrë pjesë në eliminatoret e Botërorit 2018 në Rusi… Portalet kosovare, me të drejtë, e trumbetonin këtë lajm të shfaqur në mediet belge si një fitore të madhe, teksa motivi, këtë herë, ishte sepse tek kombëtarja e vendit të parë në renditjen FIFA nuk e merrte në konsideratë… Sigurisht, tek Belgjika nuk duan t’ia dijnë nëse quhesh Adnan, nëse ke lindur me talent apo nëse babai yt quhet Abedin…

Jo, tek Belgjika shohin nëse në fushë bën diferencën, nëse impenjohesh, nëse shfaq një sjellje të mirë brenda dhe jashtë katërkëndorit. Për këto, s’mund të diskutojmë, ose fundja, s’na interesojnë. Por, këtë herë, nëse e gjitha vërtetohet, pra që Adnani të shkojë të luajë për Kosovën, do të ketë bërë autogolin e dytë të karrierës! Atë që do të na detyronte ta shihnim edhe me më shumë përçmim nga sa shohim Shaqirin, Behramin, Xhakën & Co. Pikërisht këta, shqiptarët e Zvicrës, nuk i kanë mohuar rrënjët e tyre dhe s’do ta bëjnë kurrë këtë gjë. Ndërsa, një komb iu lut Adnanit të zgjidhte Shqipërinë, ndërsa ai “driblonte” intervistat dhe nxirrte përpara tij të atin Abedin, i cili i mbyllte derën Dukës (sepse e quajti inat personal) pasi nuk kishte trokitur në portën e të birit kur ishte mundësia por e kishte shtyrë.

Alibi nga më të ndryshmet, teksa në media origjina e futbollistit ishte kthyer në një mister të ngjashëm me zhdukjen e dinosaurëve apo me Piramidat e Keopsit… Eshtë turk, është kosovar, ka gjak shqiptari, ka lindur në Belgjikë… Asnjë nga këto. Adnan Januzaj, nëse do të zgjidhte Kosovën, do ta konfirmonte origjinën e tij, që nuk është Istogu (i cili na ka nderuar me figura si Mavraj, Majlinda Kelmendi, Donis Avdijaj apo Fatmire Bajramaj) por… askundi! Për ne shqiptarët ai nuk ekziston më. Sigurisht, ka të drejtën si çdokush që të na ndjekë në Europian, mes më të mirëve. Ai dhe Abedini, dy spektaktorë më shumë, që do t’i shtohen Serbisë dhe Greqisë. Fundja, edhe ato s’janë shqiptarë, diçka të përbashkët kanë.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image