Abazi: Shokëve u kërkova falje, duhet ta kishim mundur Laçin

Dëmtimet e kanë penalizuar, por Leonit Abazi nuk është dorëzuar dhe sivjet është titullar në krahun e majtë të mbrojtjes së Skënderbeut. Sot ai ka dalë para mediave dhe ka folur fillimisht për gjendjen e bardhekuqve dhe për takimin me Laçin.

“Është një grup shumë i fortë, kemi edhe lojtarë me eksperiencë dhe duhet ta vazhdojmë këtë rrugëtim. Mendoj se ndeshjen e fundit ndaj Laçit duhej ta fitonim dhe të kishim 9 pikë. Kështu e kishim menduar”, është shprehur Abazi..

Në takimin që barazuan 1-1 kundër kurbinasve, mbrojtësi i majtë u ndëshkua me karton të kuq dhe normalisht që nuk ndihet mirë për këtë: “Është një ndjenjë e keqe, i kam kërkuar falje ekipit. Nuk e kam menduar se do të ndodhte, është kartoni i parë i kuq në karrierën time. Duhet të vazhdojmë, çfarë të bëjmë?!”.

Abazi nuk është dakord kur i thuhet se te Skënderbeu mungon eksperienca: “Në ekipin tonë nuk është se jemi lojtarë të rinj, çdo i ri që është këtu ka të paktën 2-3 vite me Skënderbeun. Ndaj nuk duhet të themi se është lojtar i ri një i tillë”.

Kosova nuk e ka ftuar atë, për Abazi nuk ndjen keqardhje: “Jo, nuk më vjen fare keq për pjesën e kombëtares. Falë Zotit jam mirë dhe duhet të vazhdoj rrugën time. Shumë shpejt besoj se do më vijë edhe ftesa nga Kosova”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *