Abazaj dhe ëndrra e bërë realitet: Pas vizitave mjekësore e besova, tani shoh edhe Milanin!

Kristal Abazaj është pa asnjë dyshim njeriu i momentit, por edhe i sezonit në Shqipëri, sepse ecuria e tij mbresëlënëse është shpërblyer ne transferimin e bujshëm tek Anderlehti në Belgjikë, për më shumë se 700.000 euro.

Pa mbushur ende 22 vjeç, një hap i madh, tepër i madh, aq sa edhe vetë Abazaj nuk e besonte: “Është diçka tjetër. Në fillim nuk më besohej se ku po shkoja. Kur bëra vizitat mjekësore e kuptova ku isha. Është një Real Madrid i dytë”, rrëfen sulmuesi në një intervistë për Supersport.

Abazaj është ambicioz, nuk e sheh si mbërritje, por pikënisje, Belgjikën: “Është një pikënisje, pasi do të jetë një trampolinë për të shkuar më tej. Jam tifoz i Milanit dhe i Realit të Madridit dhe në këto momente shoh që ndoshta mund të arrij te Milani”.

Ëndrra kuqezi? “Ëndrra ime ka qenë Kombëtarja, jam grumbulluar, por kur të debutoj do të them që ëndrra është bërë realitet”.

Abazaj, një model për të rinjtë që duan të bëhen dikush në futboll: “Këshilla ime është të punojnë sa më shumë. Do t’u thonë një herë, dy herë që nuk bëjnë, por me besim mund të arrijnë gjithçka. Disa trajnerë nuk më kanë vlerësuar, por kjo më bëri më të fortë. Kam vuajtur për të arritur deri këtu, nuk e kam patur rrugën të shtruar”.

Urimi më i veçantë: “Urimi i Liçajt ishte më i veçanti, – “ia hodhe fukarallëkut”, –  më tha. Si gjithmonë, Liçaj me komentet e tij pikante”.

Fundi i sezonit, gjithsesi, është ende në plan të parë, sepse Abazaj dëshiron ta lërë Luftëtarin në Europa League: “Këto 7 ndeshje janë finale, jam i përqendruar për të arritur Europën me Luftëtarin”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *