“A je lodhur ndonjëherë bab?”! Kur njeriu që e rriti i shkruan Myrtos: E di si ndihesh, më tepër kur të nënvlerësojnë…

0

Nga Klaudio Ndreca

Myrto Uzuni është lojtari shqiptar më në formë i momentit, duke vazhduar të shënojë gola dhe të jetë një nga protagonistët kryesorë të futbollit në Kroaci. Shpeshherë duke e marrë i vetëm Lokomotivën, për ta shpëtuar me golat dhe asistet e dhëna.

Edhe në Kupën e Kroacisë në atë gjysmëfinale ndaj Slaven Belupos, arriti që ta tundë rrjetën për të shpërthyer në festë. Në statistikat e kësaj ndeshje, Myrto Uzuni ishte një prej lojtarëve që kishte vrapuar më shumë. Çfarë mund të mendojë babai i tij, Artani, kur sheh djalin sesi ngrihet nga mediat e huaja në çdo fundjavë dhe mesjavë, ndërsa rrugëtimi nisi mes vështirësive në kufijtë e të paimagjinueshmes?

Çfarë mund të mendojë babai i tij, Artani, kur djali i vogël që kishte dhe e rriti, e shihte dikur si një ëndërr aq të largët që të luante me fanellën e Tomorit, ndërsa tani është pranë arritjes në La Liga? Asgjë më tepër, veçse të ndalojë së menduari dhe të besojë po aq fortë te djali i tij, se sado larg që të shkojë, do ta kthejë kokën mbrapa për të thënë: “Ja, atje ia kam nisur unë”. Po atje, kur diskutoheshin nevojat bazike dhe të rinjë të tjerë kishin më shumë përparësi nga aspekti financiar, por kurrsesi nuk mund të ngriheshin më lartë.

Sepse paraja nuk mund të blejë gjithçka, fatmirësisht ende jo, nuk ka mbërritur deri në këtë pikë. E teksa futemi paksa në mënyrën e të menduarit dhe të shprehjes së veçantë që kemi parë në shumë raste nga ana e Artan Uzunit, një njeri i ndjeshëm dhe shumë emocional, letra mund të ishte e tillë me shumë gjasa nëse do ta dërgonte sot.

“Bab, lumturohem vetëm duke dëgjuar emrin tënd. Lumturohem me personin që ti je sot dhe njeriun që unë rrita mes sakrificave. Ja për këtë ditë, për të dëgjuar emrin tënd që tanimë e njohin edhe jashtë Shqipërisë. Tani unë them me krenari: “Jam babai yt, po jam babai i Myrtos”.

A ka kënaqësi më të madhe për një prind? Jo, nuk mund të ketë. Çfarë mund të them? Nuk doja të vdisja pa të parë njëherë veshur me fanellën e Shqipërisë, e kisha thënë më parë. Zemra më është bërë mal duke të parë aty në fushë me atë fanellë.

Çfarë mund të them? Ke 8 vite që vetëm vrapon bab. Te Tomori i ke luajtur të gjitha ndeshjet e plota, kampionat, Kupë dhe miqësore. E njëjta gjë edhe tek Apolonia, duke i luajtur të gjitha ndeshjet, kampionat, Kupë dhe miqësore. E njëjta gjë edhe te Laçi, e kjo po përsëritet te Lokomotiva e Zagrebit.

Po si nuk the njëherë që jam i dëmtuar ose nuk mundem? Gjithmonë me ritëm dhe intestitet të lartë vrapimi. Doja ta pyesja: “A je lodhur ndonjëherë bab? Unë e di që edhe lodhesh, por di edhe këtë tjetrën, ti lodhesh më shumë kur të nënvlerësojnë dhe të lënë mënjanë. Sepse puna dhe rritja si futbollist, ty kurrë nuk të lodhin bab, e di. Sot kam vetëm një peng nga ty dhe që ma ke prishur qefin, që nuk të kam afër. Por sa ke sakrifikuar ti, me e pakëta që mund të bëj është që të pranoj të rri pa ty dhe të ndjekë nga televizori. Më duhet ta bëj”. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.