976 milionë për Vllazninë, Lici zbulon planet e së ardhmes

Asambleja e Klubit Vllaznia është mbledhur dhe ka miratuar projekt-buxhetin për vitin 2019. Drejtuesit e klubit kanë menduar se nevojitet një shumë prej 976 milionë lekësh, shumë që nuk do të jepet e plotë nga Bashkia e Shkodrës.

Ky institucion do të akordojë 59 për qind të shumës, ndryshe rreth 575 milionë lekë. Në klubin shkodran parashikojnë që pjesën tjetër të të ardhurave ta sigurojnë përmes reklamave, transferimeve dhe të së drejtës televizive.

Ndërkohë administratori Suad Lici ka folur pas mbledhjes së Asamblesë: “Mendojmë të krijojmë pavarësi sa më të madhe nga Bashkia, ndaj edhe kemi përcaktuar këtë buxhet. Në maj do të shkojmë në Katar me drejtorin sportiv. Qëllimi është gjetja e sponsorëve, në mënyrë që të ndërtojmë një skuadër që sezonin e ardhshëm të luajë në kupat e Europës. Është e vetmja mënyrë që të lajmë borxhet dhe të ecim përpara, duke e bërë Vllazninë sërish interesante. Ndryshe do të ecë në ujërat e mëparshëm”, ka deklaruar Lici sipas “Shkodra Sport”.

Më tej ai shton: Kemi nisur një projekt me drejtorin Firat dhe mund të bëjmë gjëra të mira. Ishim në Nigeri për të biseduar për lojtarë, jo për të biseduar për shtëpitë tona. Kemi shkuar për Vllazninë, kur kemi qenë edhe nën trysninë e kallashnikovëve. Besoj se skuadra aktuale nuk ngroh për në Superligë, ndaj do të bëjmë ndërhyrjet e duhura në merkato”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *