80 vite Tomor Gjoka, përvjetori i një prej legjendarëve të Tironës

Sot mbush 80 vjeç Tomor Gjoka, ish-futbollist legjendë e Tiranës, apo Tironës, si preferojnë ta quajnë klubin e zemrës tifozët bardheblu. Babai i trajnerit Ernest Gjoka ka luajtur futboll në një kohë kur paraja nuk bënte ligjin në futboll, kur luhej për pasion dhe dashuri për sportin, kur nuk ekzistonte as frika për trukime dhe njerëzit shkonin me dëshirë në stadium, të bindur se do shihnin një ndeshje të vërtetë futbolli.

Tomori lindi në Tiranë më 30 janar 1938, që tek të rinjtë e Tironës u mësua me trofe, fitoi disa tituj kampionë. Lojtar i shpejtë dhe teknik, mjaft pozicion dhe me një nuhatje të shkëlqyer për gol, çka bëri që në vitin 1959 të bëhej pjesë e Tironës.

Në fakt, për shkak të shërbimit të detyruar ushtarak, Gjoka luajti për Partizanin deri më 1961, por më pas u kthye tek Tirana dhe prej sezonit 1962-1963 u bë lojtar kyç, me 27 gola që e bënë shënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar në sezonin 1963-1964, ndërsa më pas golat ishin rutinë. Po ashtu, titujt kampionë, sepse Gjoka ngriti trofeun madhor në vitet 1965, 1966, 1968 dhe 1970.

Nuk pati shansin të luante për kombëtaren, përveç ndonjë takimi me kombëtaren olimpike, sepse lufta e klasave e ndëshkoi, duke i vrarë edhe dëshirën për të vazhduar më gjatë me futbollin. Familje kampionësh, pasi edhe bashkëshortja e Tomorit, shoqja e tij, Afërdita Leskaj, mjeshtre e sportit, ishte një atlete e shkëlqyer e  17 Nëntorit, gjatë viteve 1963-1970. Për sa i përket Ernest Gjokës, historia e tij është e freskët, në zhvillim e sipër, por një titull kampion me Kukësin mjafton për t’u krenuar para të atit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *