76 djem dhe 14 vajza/ Një frymë e re për arbitrimin, flet Sokol Jareci: Po shtohet numri dhe ka perspektivë

Një epokë e re duket se po nis në arbitrimin shqiptar, ndërsa kjo e fundit është dhe një ndër tematikat që merr vëmendjen e FSHF-së. Numri i të rinjve që dëshirojnë të ndjekin rrugën e arbitrimit ka ardhur në rritje. Plot 76 djem dhe 14 vajza janë pjesë e Akademisë së Arbitrimit këtë vit, ndërsa kanë nisur së fundmi edhe fazën e dytë të kursit. Gjatë kësaj periudhe kursantët do të ndjekin intensivisht për 8 ditë leksione mbi Rregulloren e Lojës dhe në fund do i nënshtrohen edhe provimit teorik.

Ndërkohë të 90 studentët kanë qenë të angazhuar për 3 muaj në ligat amatore. Interesimi i lartë i ka rënë në sy edhe Sokol Jarecit, i cili shprehet kjo dëshirë për tu rritur dhe ecur përpara është padyshim një aspekt që i bën të gjithë optimist për të ardhmen e arbitrimit në Shqipëri. Gjithashtu elementet me perspektivë nuk kanë munguar në këtë kurs, në fund të të cilit do të pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” me të cilën do të kenë mundësi të gjykojnë në kampionatet e moshave./Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë nga FSHF:      

Akademia e Arbitrimit, një ndër prioritetet e mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka filluar këtë javë fazën e dytë të kursit, fazë e konsolidimit është cilësuar nga drejtuesi Jareci. Në këtë fazë përfshihet një seksion intensiv 8 ditor me leksione nga Rregullorja e Lojës, por jo vetëm, dhe mbyllet me testimin teorik të kësaj rregulloreje, e cila është edhe Kushteta e lojës së futbollit.

90 studentë, ndër të cilët edhe 14 vajza, janë pjesë e Akademisë për këtë edicion, i cili është edhe i dyti që organizohet nga FSHF dhe Sektori Arbitrimit.  Pjesëmarrësit, në fazën e parë e cila u zhvillua në muajin tetor, morën leksione nga ekspertë të botës së arbitrimit, psikologjisë sportive, mjekësisë sportive, përgatitës atletik dhe lektorë të gjuhës angleze. Tani rikthehen në fazën e dytë pas një periudhe tre mujore aktive në ligat amatore, ku patën mundësi të shpalosin cilësitë e tyre. Faza e dytë parashikon një përfshirje më të madhe të arbitrave në aspekte konkrete, duke prekur direkt Rregulloren e Lojës dhe interpretime të situatave të ndërlikuara në një garë futbollistike.  Optimist për ecurinë dhe rrugëtimin profesional të këtyre të rinjve shfaqet Sokol Jareci. “Faza e parë e zhvilluar në muajin tetor ishte shumë e rëndësishme për ne por edhe për këta të rinj që u bënë pjesë e Akademisë së Arbitrimit. Kemi parë një interesim të madh për tu rritur dhe ecur përpara nga këta të rinj, gjë e cila na bën padiskutim optimist për perspektivën e arbitrimit shqiptar. Pas fazës së parë të rinjtë janë bërë pjesë e jona, duke arbitruar për 3 muaj në ligat amatore, dhe tani janë në fazën e dytë ku po njohin në detaje Rregulloren e Lojës dhe po trajnohen nga ekspertët më të mirë të fushës. Ne i kemi ndjekur dhe gjatë arbitrimit në ligat amatore dhe duhet të theksoj se ka element të perspektivës”.

Të rinjtë që kanë shprehur dëshirën e tyre për të vendosur drejtësi në fushën e lojës, pas përfundimit të testimit teorik do të pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” dhe karriera e tyre do të vazhdojë në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë, duke arbitruar në kampionatet e moshave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *