717 ditë pa luajtur, Muça: I lumtur që u riktheva, falënderoj Ngon!

Gentian Muça u rikthye të luajë me Tiranën pas një pritje thuajse 2-vjeçare. Me problemet shëndetësore që tashmë është pjesë e së shkuarës, qendërmbrojtësi kryeqytetas është gati për të dhënë sërish kontributin për klubin bardheblu.  Në përfundim të ndeshjes së sotme, Muça foli për emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

RIKTHIMI – “Është e vërtetë që kam kaluar disa peripeci, por nuk e kam më mendjen aty. Dua të kthehem sa më shpejt në fushën e lojës dhe dua të falënderoj Ngon, që më dha mundësinë të futem në fushën e lojës (qesh). Mendja te derbi? Flasim javës tjetër”.

KLIMA TE TIRANA – “Unë kam që nga fundi i korrikut që i jam bashkuar stërvitjes. Që nga ajo ditë, shumë gjëra kanë ndryshuar, por ka ndryshuar përgatitja e lojtarëve. Tani jemi më tepër familje se para dhjetorit. Kjo gjë ka ndikuar direkt te harmoni dhe te rezultatet”.

100% GATI – “Edhe para një muaji të më pyesnit, do të thosha që jam gati. Por për mua dhe për ekipin do të ishte më mirë të presim. Unë dëshirën e kam të jap kontributin tim që javën tjetër, por do ishte më e rëndësishme që të presim momentin e duhur”.

DYSHIMET E RIKTHIMIT – “Unë me dëshirën më të madhe i kam qëndruar ekipit pranë, sidomos djemve të rinj. Tirana ka nevojë për të gjithë në këto momente dhe është e vërtetë që kam kaluar shumë vështirësi, por rikthimin e kam pasur objektiv personal dhe kam bërë të pamundurën të rikthehem në futboll”,- përfundoi Gentian Muça.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *