6 lojtarë duhet të bëhen burra, Bajerni nuk pret më

0

Nuk ka më premtime dhe fjalë boshe, te Bajerni është koha për aksion. Sezoni i ri i futbollistik po pritet me padurim nga tifozët bavarezë, sepse në skuadrën kampione të Gjermanisë tashmë luajnë disa lojtarë shpresëdhënës. Disa prej tyre janë ende në formë “bastesh” nga drejtuesit, sepse nuk dihet se sa do të përshtaten në Mynih, por e gjitha mbetet për t’u parë.

Trajneri i ri Niko Kovaç ka një punë të vështirë, sepse duhet të bëjë ndërthurjen ideale të lojtarëve me përvojë si Mats Humels, Havi Martinez, Frenk Riberi, Arjen Roben dhe Robert Levandovski me lojtarë të cilët Ligën e Kampionëve e shohin sikur të ishte një anije kozmike.

Niklas Zyle, mbrojtës vetëm 22 vjeç, vjet u ble për 20 mln euro nga Hofenhajmi. Ai ka luajtur mirë në sezonin e parë si bavarez, por ky shihet si viti i afirmimit për të, pra si lojtar i klasit botëror. Nëse Zherom Boateng shitet në ditët e fundit apo vazhdon të ketë probleme fizike, Zyle duhet të tregojë veten.

Kalojmë në mesfushë, aty ku Kovaç ka realisht shumë dyshime për formacionin. Korentin Toliso vërtet është 24 vjeç, por me siguri që gjysma e tifozëve të Bajernit ende nuk ia ka fiksuar mirë fytyrën. Pas një sezoni disi problematik (prej dëmtimeve) në “Alianc Arena”, ai u shpall kampion bote me Francën, por deri tani ende nuk i ka justifikuar 41,5 milionë eurot e shpenzuara nga klubi. Kur je lojtari më i shtrenjtë në historinë e Bajernit, duhet të shfaqësh diçka vërtet unike dhe kjo ende nuk ka ndodhur.

Leon Gorecka (23 vjeç) do të jetë një tjetër lojtar interesant për t’u ndjekur këtë sezon. I transferuar me parametra zero nga Shalke, ish-kapiteni i kombëtareve të Gjermanisë së të rinjve shihet si pasardhësi ideal i legjendës Mikael Balak. A do t’ia dalë në Mynih? Shoku i tij i ri i skuadrës, Renato Sançes (20 vjeç), dështoi në vitin e parë si bavarez. Sivjet u rikthye sërish dhe trajneri Kovaç i ka dhënë shumë besim, por duhen vepra…

Luftë e madhe do të ketë edhe në sulm. Dyshja “Roberi” do të duhet të përballojë freskinë dhe motivimin e të rinjve Kingsli Koman (22 vjeç) dhe Serzh Gnabri (23 vjeç), të cilët do ta kërkojnë me gjak vendin e titullarit. Nëse francezi do të ndiqet nga hija e dëmtimeve si në sezonet e kaluara, ky do të jetë një problem i madh, sepse Riberi është në perëndimin e tij dhe nuk pritet të jetë në kushte optimale fizike, sidomos për Ligën e Kampionëve.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.