5 mijë “ujqër” në stadium, Korça “zjarr” sot në mbrëmje

Interesim i paparë në qytetin juglindor. Tifozët e Partizanit do të shoqërohen para se të hyjnë në Korçë e deri pas ndeshjes

Leonard Trebicka

Skënderbeu-Partizani është kryendeshja e javës së 3-të dhe patjetër që ka interesimin të madh nga sportdashësit, jo vetëm ata korçarë dhe të kuq. Luajnë aktin e parë mes tyre dy rivalë për titull. Shkallët e stadiumit do të jenë plot, kurse ata që nuk kanë mundësi, do ta ndjekin ndeshje nga ekrani i televizorit. Pritshmëria është e lartë. Mbi 5 mijë tifozë korçarë pritet që sot në mbrëmje të ulen në shkallët e stadiumit. Kjo shifër konfirmohet nga shitja e lartë e biletave, që ka nisur tri ditë më parë dhe do të vazhdojë edhe sot. Kompania që menaxhon biletat dhe klubi juglindor kanë bërë me dije se shitja deri dje në mbrëmje ka qenë e lartë. Skënderbeu-Partizani garanton spektakël jo vetëm në fushë, por edhe në tribuna. Tifozëria korçare është gati të tregojë se në Korçë janë të etur për një tjetër titull kampion. Shoqata “Ujqërit e dëborës” ka ditë që po bëjnë thirrje në qytet, që sot në mbrëmje të jenë të gjithë në stadium, ku do të ketë edhe surpriza. Banderola të reja, disa prej tyre ngacmuese, do të shpalosen nga ultrasit në tribunën C. Ndeshja luhet në mbrëmje dhe “ujqërit” kanë premtuar se do ta ndezin “zjarr” stadiumin. Sot është radha e korçarëve dhe kur luhet ndaj Partizanit tifozët janë dyfish të mobilizuar për të dhënë më të mirën në tribuna.
MIQTË – Për sa u përket tifozëve të Partizanit, ata do të vendosen në tribunën E, ku ka vendin çdo tifozëri mike. 1.320 vende është kapaciteti i kësaj tribune dhe është i gjithi në dispozicion të tifozëve të kuq. Edhe dje nuk ka pasur ndonjë njoftim zyrtar në lidhje me numrin e tifozëve që do të udhëtojnë drejt Korçës. Gjithsesi, sado që të vijnë sot në Korçë, të gjithë do të qëndrojnë vetëm në tribunën E, ku do të jenë shumë forca policore, bashkë me ta edhe një pjesë e forcave të FNSH-së, që do të vijnë nga kryeqyteti enkas për mbarëvajtjen e kësaj ndeshjeje. Klubi korçar u ka bërë thirrje tifozëve miq dhe atyre vendës, që të mos mendojnë në asnjë moment se mund të sjellin ndonjë incident, pasi masat janë shumë të ashpra. Tifozët e Partizanit do të shoqërohen që para se të mbërrijnë në Korçë, do të futen me rregull në stadium dhe me një kontroll të imtë. Edhe pas ndeshjes ata do të shoqërohen deri në dalje të Korçës, ndoshta deri në Pogradec, nga makina policie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *