4-5-1, De Biazi ka gjetur “kombinacionin”!

0

 

Ndërrohen interpretuesit, por jo rreshtimi taktik, që paraqet tre mini-skema gjatë një ndeshje. Cikalleshi pika e forcës dhe universal, teksa krahët bëjnë rotacione. Koha e eksperimenteve ka mbaruar dhe Shqipëria zbavit edhe duke u mbrojtur

 

Thonë që numrat janë mistikë ndonjëherë dhe japin mesazhe që goja apo dora e njeriut nuk mund të përcjellë, por janë dhe rruga për të arritur te perfeksioni. Llogaritë matematikore nuk gabojnë dhe pikërisht falë numrave kjo gjë është e mundur. Çdokush ka një numër të preferuar, qoftë nëse ka një domethënie për të (vit i lindjes, data, dita, pasha, gjatësia, gjerësia, numri i këmbës, mosha e kështu me radhë), apo edhe kur bëhet fjalë për një numër fati. Në kokën e Xhani de Biazit, numrat mistikë janë 4-5-1… Nuk është datëlindja, nuk ka ndonjë domethënie të madhe, por është rreshtimi taktik i përfaqësueses së Shqipërisë. Ndoshta jo të gjithëve u ka ndodhur të bisedojnë me trajnerin italian për idetë taktike dhe teknike, pasi edhe pse në dukje De Biazi shfaqet një person solar, ka edhe ai rezervat dhe atë privatësi që e dallon. Italiani preferon një skuadër që të dijë të mbrojë si grup, të sulmojë si grup dhe, së fundmi, të bëjë diferencën me individë. Futbolli i sotëm ka ndryshuar: nëse nuk vrapohet me të 10-të futbollistët që janë në fushë, atëherë rreziku për t’u përçarë është i madh.

Ekuilibri – Sa kanë ndryshuar kohët që kur trajneri mori drejtimin e Shqipërisë dhe provoi skemën 4-4-1-1, edhe pse e dinte se drejt rrugës së 4-5-1 do të shkonte. Natyrisht, çdo trajner, duhet të ketë një plan “B”, ashtu si edhe italiani e di mjaft mirë se në një ndeshje që duhet fituar, do të luhet edhe me tre sulmues, por kjo Shqipëri, me elementët që ka në dispozicion dhe, sidomos, me forcën e grupit, luan me një rreshtim që për kundërshtarin është tepër problematik. Disa trajnerë kundërshtarë (të cilët më pas kanë bërë valixhet duke rënë “viktima” pikërisht të homologut të tyre në pankinën kuqezi) e kanë akuzuar Shqipërinë për “katenaçio”, por si është e mundur që një skuadër që bën katenaçio të krijojë të paktën tre apo katër raste të pastra për gol çdo ndeshje? Si është e mundur që tabela taktike të tregojë se në pasimet e sakta, Danimarka ishte vetëm shumë pak përpara kuqezinjve, që në Kopenhagen janë kujdesur të mbrohen mirë, por kanë sulmuar me racionalizëm. Dhe, goditja e Cikalleshit dhe rasti i Roshit në fund kanë qenë dy raste që barazpeshohen me dy të Danimarkës, e cila është ndjerë “e vjedhur”. Nga kush? Nga se? Shqipëria luajti ashtu si di, luajti edhe për të mbajtur 1 pikë, por edhe për të fituar. Ekuilibri i kuqezinjve ndoshta krijon jo pak xhelozi te rivalët. Sepse, ta themi shkoqur, asnjë kundërshtar që nuk ka një emër “big”, sot, s’mund të futet në fushë duke menduar se me Shqipërinë ka tri pikët. Madje, niset nga frika se me kuqezinjtë gjetja e golit do të jetë problem serioz dhe duhet patur kujdes.

Cikalleshi – “Më ofron siguri në mbajtjen e topit dhe i jep mundësi skuadrës të dalë, përveçse fizikisht vë në vështirësi kundërshtarët, pasi di të luajë edhe me shpatulla pas porte”. Xhani De Biazi u përpoq ta argumentonte kështu zgjedhjen për “Cikën”, siç e thërret ai, përpara disa kohësh, teksa e pyesja me shumë kureshtje. Sigurisht, italiani s’i thotë të gjitha, por ajo që thotë mjafton dhe del. Pak është më shumë se asgjë… Por, çfarë roli ka Cikalleshi në këtë Kombëtare? Sulmuesi kavajas di të bëjë edhe mesfushorin dhe, madje, është i pranishëm kudo, në çdo kënd të fushës. Një sulmues që nuk është pikë referimi në një kombëtare që luan me një skemë 4-5-1 e cila kthehet në 1-4-6, duke futur edhe portierin në pjesë, siç bën Hidinku në skemat e tij. E në fakt, portierë si Nojer apo Berisha, që me këmbë dinë të luajnë, janë pjesë e një skeme. E vërtetë që Cikalleshi s’po zhbllokohet me Kombëtaren, por e vërtetë edhe se me kavajasit në fushë, krijohen shumë raste për mesfushorët e krahut, që kur kuqezinjtë janë përpara krijojnë të famshmen 4-3-3. Mendoni pak, tre skema brenda një rreshtimi, të ndara sipas situatave të lojës.

Alternativat – Duke parë numrin e madh të mesfushorëve dhe në një periudhë kur sulmi kuqezi nuk lulëzonte, De Biazi mendoi mirë që të mbaronte me periudhën e eksperimenteve dhe t’i jepte përparësi 4-5-1. Çdokush duhet të jetë funksional i një skeme që po na dërgon në Francë. Dhe, spektakli s’po mungon. Të ngrejë dorën ai që nuk po zbavitet me këtë Kombëtare?! Nëse një skuadër tjetër do të bënte këtë skemë, ndoshta tifozët do ta shanin, por kuqezinjtë duartrokiten në çdo ndeshje, sepse mbrojnë, sulmojnë dhe administrojnë. Nuk e di e keni parë apo jo, por në minutat e fundit, kundërshtari nis të dorëzohet dhe nuk ndodh si dikur, kur na zinte paniku. Të gjithë duke vonuar lojën, herë duke u shtirur e herë jo, por edhe duke e mbajtur me pasime. Qëllimi justifikon mjetet, thoshte Nikolo Makiaveli në librin e famshëm “Princi” dhe Xhani De Biazi, siç duket, e ka lexuar më së miri. Sa i përket interpretuesve të kësaj skeme, edhe pse me shumë mungesa të rëndësishme në mbrojtje (Hysaj, Mavraj dhe Curri), lojtarë ende konvaleshentë dhe disa ende në stërvitjet e para me skuadrat e tyre, të tjerë jo në formën e duhur, sërish s’kemi humbur unitetin.  Kukeli, Abrashi dhe Xhaka janë solidët, por alternativa si Basha, Kaçe, Memushaj edhe spostimi i Lenjanit pak në mes, ashtu si edhe i Andi Lilës, sjellin një mori zgjidhjesh. Edhe në krahë jemi shumë mirë, me Roshin, Lenjanin dhe Gashin që ndryshohen sipas planit të lojës dhe karakteristikave të kundërshtarit. E të mendosh që Xhimshiti është blerja e fundit, atëherë Kombëtarja ka dy skuadra. Mbrojtësi i Zyrihut di të luajë në çdo rol në mbrojtje dhe e tregoi që në debutim, duke luajtur në vend të Hysajt më së miri. Pa harruar Alban Mehën dhe Valdet Ramën, që në të ardhmen mund të rikthehen të jenë pjesë. Në sulm, Balaj, Sadiku dhe Salihi presin një okazion. Kjo Kombëtare ka shumë alternativa në çdo rol dhe ka një grup. Koha e eksperimenteve ka mbaruar, Xhani De Biazi ka gjetur kuadraturën e duhur.

 

Anton Cicani

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image