32 tituj dhe vazhdon… trofetë e panumërt të Ibrës

0

Muzeut personal të Zlatan Ibrahimoviçit i është shtuar edhe një tjetër trofe të dielën në mbrëmje. Mançester Junajtid ka mundur 3-2 Sauthemptonin falë dhe dy golave të suedezit duke fituar Kupën e Ligës, trofeun e parë për sezonin 2016-2017 në Angli. Mes dy golave të Ibrës është dhe ai vendimtar, tre minuta nga fundi që i dha kupën “Djajve të kuq”. Ky ishte trofeu i fundit deri më tani për Zlatan Ibrahimoviçit në një karrierë brilante. Dhe me të drejtë ai mund të krenohet me faktin se ka fituar kudo ku ka luajtur; që nga Holanda me Ajaksin e deri së fundmi tek Mançester Junajtid. Për suedezit, Kupa e Ligës në Angli ishte trofeu numër 32 në historinë e tij dhe që me siguri nuk duket të jetë i fundit parë ecurinë e 35-vjeçarit. Kjo do të thotë se Zlatan Ibrahimoviç ka fituar të paktën një trofe të rëndësishëm në secilin nga 5 vendet ku ka luajtur, Holandë, Itali, Spanjë, Francë dhe Angli. “Kjo ishte arsye për se erdha tek Junajtid. Kam ardhur të fitoj dhe po fitoj. Thjesht duhet të shoh përpara për të vijuar të fitoj”- deklaronte Ibrahimoviç pas suksesit në finalen e Kupës së Ligës kundër Sauthemptonit. Më poshtë është dhe lista e gjatë e sukseseve të Ibrahimoviçit, sipas vendeve ku ka fituar.

Ajaksi (Holandë) – Trofeun e tij të parë Ibrahimoviç e ka fituar plot 15 vjet më parë kur luante për Ajaksin dhe ishte vetëm 20 vjeç. Me 6 gola në 24 ndeshje i jepte një dorë Ajaksit në fitimin e titullit. Në po të njëjtin sezon, Ibra bënte bis duke fituar edhe Kupën e Holandës në një ndeshje dramatike. Fillimisht barazonte shifrat në minutën e 90-të dhe më pas shënonte “golden goal” tri minuta nga koha shtesë. Në vitin 2002 Ajaksi fitonte dhe Superkupën e Holandës. Dy sezone më vonë, 2003-2004, Ibra fitonte për herë të dytë kampionatin holandez, duke pasur rol vendimtar me 13 rrjeta.

Juventusi (Itali) – në vitin 2004 Ibrahimoviç linte Ajaksin për Juventusin. Dy sezone tek “Zonja e Vjetër” të shoqëruar me dy tituj kampion dhe 23 gola gjithsej. Por më pas titujt e Juventusit u zhbënë nga federata italiane pas skandalit “Calciopoli”.

Interi (Itali) – Verën e vitit 2006 Ibrahimoviç linte Juventusin për t’u transferuar në Milano, te Interi. Vetëm dy javë nga kalimi te zikaltëeit vjen dhe trofeu i parë, Superkupa e Italisë, teksa Interi i shpallur kampion pas përjashtimit të Juventusit fitonte në kohën shtesë përballë Romës. Ishte vetëm fillimi i një serie trofesh, ku numërohen tri tituj radhazi 2007-2009 dhe Superkupa e Italisë, 2008.

Barcelona (Spanjë) – Në Spanjë e nis me tre tituj në harkun e pak muajve në vitin 2009. Superkupa e Spanjës, Superkupa e Evropës dhe Botërori i klubeve. Në sezonin 2009-2010, Ibra fitonte titullin në Spanjë me Barcelonën, që linte pas Realin. Suedezi linte gjurmën e tij me 16 gola, por që ishin shumë pak krahasuar me më shumë se dyfishin të shënuar nga Mesi. Superkupa e Spanjës verën e vitit 2010 ishte trofeu i fundit për të me Barçën, sepse mes sherreve me Guardiolën do të linte katalanasit për t’u kthyer sërish në Itali, këtë herë me Milanin.  

Milani (Itali) – Ibra ndërron fanellë por jo ritmin fitues. Me 14 gola i jepte një dorë të rëndësishme Milanit në fitimin e titullit kampion, i pari pas 7 sezonesh të dështuar. Verën e vitit 2011 Ibra fitonte dhe Superkupën e Italisë me Milanin.

PSG-ja (Francë) – Me Milanin në krizë dhe probleme me fair-play financiar, Ibrahimoviç dhe Tiago Silva lënë Milanin për të nisur një cikël të ri fitues në Francë me PSG-në. Sezoni 2012-2013 është i pari për të në Francë që shoqërohet me titullin e parë nga 4 radhazi. 30 gola, 11 më shumë se ndjekësi i vet më i afërt! Lista e trofeve në Francë është shumë e gjatë, plot 12 të tillë, praktikisht gjtihçka mund të fitohej në Francë, kampionat, kupë France, Kupë lige dhe superkupë.

Mançester Junajtid (Angli) – Në verën e kaluar Ibrahimoviç zgjedh të punojë sërish me Murinjon, këtë herë në Angli tek Junajtid. Suksesi i parë nuk vonon. Madje që në ndeshjen e tij të parë kompetitive arrin të fitojë trofeun e parë, Superkupën e Anglisë me suksesin kundër Lesterit. Lista plotësohet me titullin e së dielës në kupën e ligës në finalen kundër Sauthemptonit. Deri këtu janë 32, por historia vazhdon…

 

Muzeu i trofeve të Ibrahimoviçit

 

Ajaks Amsterdam (Holandë)

Tituj në Holandë 2 (2001–02, 2003–04)

Kupa e Holandës 1 (2001–02)

Trofeu Johan Krojf 1 (2002)

 

Juventus (Itali)

Tituj në Itali 2 (2004–05, 2005–06)

(të dy të revokuar pas skandalit Calciopoli)

Inter (Itali)

Tituj në Itali 3 (2006–07, 2007–08, 2008–09)

Superkupa e Italisë 2 (2006, 2008)

 

Milani (Itali)

Tituj në Itali 1 (2010-11)

Superkupa e Italisë 1 (2011)

 

Barcelona (Spanjë)

Tituj në Spanjë 1 (2009–10)

Superkupa e Spanjës 2 (2009, 2010)

Superkupa e Evropës 1 (2009)

Botërori i klubeve 1 (2009)

Paris SG (Francë)

Tituj në Francë 4 (2012–13, 2013–14, 2014–15, 2015–16)

Kupa e Francës 2 (2014–15, 2015–16)

Kupa e Ligës 3 (2013–14, 2014–15, 2015–16)

Superkupa e Francës 3 (2013, 2014, 2015)

 

Mançester Utd (Angli)

Superkupa e Anglisë 1 (2016)

Kupa e Ligës 1 (2016-17)

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here