30 vjet nga triumfi i parë i epokës Berluskoni, kur Milanin e adhuronin edhe kundërshtarët

Në këto kohëra të zymta, ku edhe vendi i katërt është kthyer në mision të pamundur, tifozët e Milanit janë të detyruar të jetojnë me kujtime. Situata si kjo e tanishmja i kanë përjetuar tifozët më të moshuar në vitet ’80, kur Milani provonte ferrin e Serisë B dhe ringjalljen me Silvio Berluskonin, i cili e bleu Milanin të rrënuar dhe në pak vite e ktheu në ekipin më të bukur në Europë.

Si sot 30 vite më parë erdhi titulli i parë i epokës Berluskoni, i 11-ti në total, më i paprituri për të gjithë. Ishte Milani i Sakit, i holandezëve, i Barezit, Maldini, Tasotit, Donadonit e të tjerëve.

Në një pasdite të bukur në Komo nisi marshimi kuqezi në Itali e Europë, ndërkohë që pas fishkëllimës finale të gjithë vërshuan për në San Siro. Sapo kishte mbaruar Inter-Avelino 1-1, tifozët zikaltër largoheshin kokulur dhe vendin ua merrnin tifozët kuqezinj, të cilët prisnin jashtë stadiumit. Skena të papërsëritshme, epokë tjetër, ngjan si legjendë që nuk mund të ndodhë kurrë.

Të gjithë në pritje të skuadrës, Berluskoni me kravatë kuqezi, stadiumi që brohoriste emrin e tij, sepse ishte Milani i tij, mbi të gjitha. Ishte edhe Milani i profesor Sakit, sepse vërtet kishte yje në dispozicion, por mënyrën e lojës ua mësoi Saki, i cili më pas do të habisë botën dhe do të ndryshonte futbollin.

Pikërisht Saki, i intervistuar nga Sportmediaset, kujton: “Klubi vinte para të gjithëve. Pa presidentin Berluskoni asgjë nuk do ishte e mundur. Ai na e thoshte shpesh: e pamundura mund të bëhet e mundur”.

Vërtet mendonit se nuk mund ta fitonit atë titull?

E vështirë të imagjinohej. Berluskoni besonte që në fillim, me pas nisa të bindesha edhe unë. Skuadra nuk ishte gati, në fakt. Tasoti me tha një herë: “Mister, pas pasimit të katërt nuk mendojmë dot më. Deri aty kemi kapacitet”. Kjo fazë zgjati pak, por më pas dalëngadalë djemtë po bindeshin që ishte e mundur të luanim një futboll tjetër. Aty nisi kthesa e madhe.

Ekzistonte mosbesim ndaj teje?

Më shumë ishte mosbesim ndaj metodologjisë së punës sime. Mbi idenë e lojës së skuadrës që duhej të ishte totale, që çdo kampion duhej të luante me shokët, gjithmonë, dhe unë kisha plot kampionë në ekip.

Kur e kuptove që e pamundura po bëhej e mundur?

Mbaj mend fillimin e vështirë, mbaj mend edhe ndeshjen e humbur në dhjetor në tavolinë ndaj Romës, kur një fishekzjarr goditi Tankredin. Megjithatë, në stërvitje vëmendja po shtohej, lojtarët vinin herët e iknin më vonë. Ekzistonte një dëshirë e çmendur për t’u përmirësuar, nisem të kuptonim se mund të fitonim edhe kundër Maradonës, lojtari absolutisht me i forte dhe i vështirë për t’u mundur në dekadat e fundit.

Si ndryshoi skuadra nga muaji në muaj?

Po përmirësohej gjithçka. Presidenti ishte i qartë: duhen fitore, loje e mirë dhe të respektohesh nga kundërshtari. Misioni ishte që të luanim si skuadër, që të shpërthenin edhe lojtarët e veçantë. Sot thuajse askush nuk e ka këtë koncept në Itali, jo vetëm në futboll.

Të gjithë e donin atë Milan, edhe kundërshtarët.

Po, ende e kujtoj duartrokitjen e San Paolos më 1 maj 1988, kur fituam sfidën vendimtare për titull në Napoli. Kishin Maradonën, por na duartrokitën. Fitoren mund ta arrijnë shumë, por si e bënim ne është e vështirë.

Si përgatiteshin ndeshjet kundër Maradonës?

Ai ishte i tmerrshëm, synimi ynë ishte që ta kufizonim të 30 prekje topi për ndeshje, jo 70 apo 100. Nuk mund t’i vinim një lojtar nga pas gjithë ndeshjen, sepse ishte e kotë, humbisni njw lojtar dhe zor se e ndalnim. Luanim për ta kufizuar, si skuadër, jo për ta bllokuar totalisht.

Skuadër, por edhe Van Basten.

Skuadra kishte inteligjence të rrallë, ajo e bënte diferencën. Pastaj Van Basten ishte i mrekullueshëm. Të gjithë na dashuronin për këtë ndërthurje. Vitin e parë kishim 30 mijë të abonuar, të dytin 60 mijë. Kjo ishte fitorja e vërtetë…

AC Milan Coach Arrigo Sacchi (l) discusses tactics with Marco Van Basten (r)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *