3 vite burgim për dhunën ndaj arbitrit, FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit pas Shkumbini-Dinamo

Aktet e dhunës kanë qenë prezente ditën e sotme në ndeshjen e Kategorisë së Parë mes Shkumbinit dhe Dinamos. Arbitri i takimit, Sokol Bebja, është dhunuar gjatë kësaj ndeshjeje dhe kjo ka sjellë edhe reagimin e FSHF-së.

Qeveria shqiptare e futbollit bën me dije se nuk do të tolerojë aspak një sjellje të tij dhe se do i shkojë kësaj çështjeje deri në fund, ku agresorët të vihet përpara drejtësisë. Ligjet e reja mbi akte të tilla në stadium mund të shkojnë deri në 3 vite burgim dhe FSHF kërkon që Policia e Shtetit të reagojë menjëherë dhe të kryejë detyrën në këtë rast./Sport Ekspres/

Njoftimi i plotë:

Federata e Futbollit dënon me ashpërsi aktin vandal të dhunimit të arbitrit Sokol Bebja në ndeshjen Shkumbini-Dinamo në qytetin e Peqinit.

FSHF i bën thirrje Policisë së Shtetit të marrë urgjentisht masat për të arrestuar agresorët në fjalë dhe kërkon nxjerrjen e tyre të menjëhershme para ligjit, bazuar në nenin 274/A të Kodit Penal. FSHF garanton se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje në të gjitha instancat e drejtësisë.

FSHF nuk do të lejojë në asnjë çast nëpërkëmbjen e autoriteteve sportive dhe ndërhyrjet e huliganëve në dëm të cilitdo në ambjentet sportive.