250 policë dhe 10 grupe të FNSH-së, tifozëve u duhet kartë identiteti

0

 

Masa të forta nga policia për ndeshjen e sotme midis Flamurtarit dhe Skënderbeut. Masat kanë nisur të merren një ditë më parë dhe gjithçka do të vazhdojë deri pas përfundimit të ndeshjes. Policia do të jetë e përforcuar, pasi veç rreth 250 efektivëve, do të jenë të pranishëm edhe 10 grupe të FNSH-së për të siguruar rend dhe qetësi gjatë ndeshjes. Nuk do të lejohet parkimi, lëvizja e automjeteve apo shitësit ambulantë afër stadiumit, ndërkohë që qytetarët duhet të jenë të pajisur me kartë identiteti për hyrjen në stadium. Drejtues të policisë së Vlorës janë takuar gjatë paradites së djeshme me drejtues të Flamurtarit në ambientet e stadiumit për të hartuar një plan masash për mbarëvajtjen e takimit. Policia ka dalë në një deklaratë zyrtare rreth masave të marra për këtë takim, ku shkruhet:

“Më datë 18.05.2016, ora 17:00, në stadiumin e qytetit të Vlorës zhvillohet ndeshja ndërmjet ekipeve të Flamurtarit dhe Skënderbeut. Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka marrë masa para, gjatë dhe pas ndeshjes për garantimin dhe zhvillimin normal të këtij aktiviteti. Në këtë kuadër, përveç shërbimeve policore, që do të jenë të pranishme në të gjitha ambientet e stadiumit, me qëllim parandalimin e çdo incidenti dhe sigurimin e rregullit të lëvizjes së tifozëve, nga ana e strukturave të policisë është vendosur:
– Ndalimi i qarkullimit dhe parkimit të automjeteve nga ora 08:00 e datës 18.05.2016 deri në përfundim të ndeshjes, përpara ambienteve të stadiumit dhe pas Pallatit të Sportit.
– Po ashtu, nuk do të lejohen tregtarët ambulantë në këtë zonë dhe në lulishtet përpara stadiumit.
– Do të ndalohet përdorimi i  pijeve alkoolike, shisheve të qelqit, fishekzjarreve, shashkave zhurmuese dhe tymuese, materialeve të tjera piroteknike, si dhe mbajtja e çelësave, çakmakëve, monedhave metalike dhe objekteve të tjera të forta të ndaluara në mjediset e stadiumit.
– Qytetarët që do të marrin pjesë, të jenë të pajisur me mjet identifikimi (Kartë Identiteti) dhe të marrin masa për paraqitjen në ambientet e stadiumit përpara fillimit të ndeshjes, duke llogaritur dhe kohën e procedurave të kontrollit, pasi në orën 17:00 do të ndalohet hyrja e mëtejshme në stadium.
– Për fëmijët nën moshën 14 vjeç kërkohet të jenë të shoqëruar nga prindërit e tyre.
– Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Klubi i Futbollit “Flamurtari” kërkojnë një sjellje korrekte dhe të kulturuar të tifozëve, shmangien e veprimeve, që mund të çojnë në konflikte ndërmjet tifozëve dhe cënimin e rendit publik.
– Janë angazhuar rreth 250 punonjës policie për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë aktivitetit, si dhe 10 grupe të shërbimeve të FNSH-së.
– Të gjitha lokalet rreth stadiumit do jenë të mbyllura nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit.
– Janë rritur patrullimet në qytet me qëllim mbajtjen nën kontroll të dy tifozërive.
– Janë marrë masa për shoqërimin e skuadrave, të arbitrave si dhe të tifozëve të skuadrës mike.
Policia e Vlorës u bën thirrje të dy tifozërive të tregojnë qytetari dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen e këtij aktiviteti futbollistik.
Gjithashtu, Policia e Vlorës bën me dije se gjatë ndeshjes janë marra masa për filmime dhe dokumentimin e plotë ligjor të paligjshmërive, kështu që u bëhet thirrje gjithë qytetarëve të kenë kujdes, pasi duke qenë nën vëzhgim të plotë, strukturat e policisë janë të vendosura për të ndëshkuar cilindo që do tentojë të prish rendin dhe mbarëvajtjen e këtij aktiviteti.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin!
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here