21 vite më parë, Roberto Karlos dhe goli që ende nuk e di si e shënoi

Stadiumi “Gerland”, Lion, 3 qershor 1997. Franca e Brazili luanin ndeshjen hapëse të “Turneut të Francës”, kompeticion miqësor një vit para Botërorit francez në 1998. Një katërshe luksi në turne, së bashku me Anglinë e Italinë, por natyrisht turne miqësor, që nuk e mban mend askush.

Ah, po, mbahet mend mirë një gol, që në fakt ishte një anomali, një diçka që nuk ndodh në futboll. Roberto Karlos, një që në vend të këmbës së majtë kishte një mitraloz, mori përsipër të ekzekutonte një goditje dënimi, si zakonisht. Doli në dritë një predhë që askush nuk di si ta quajë, duke e quajtur herë ‘trajektorja si banane’, herë ‘tre gishtat’, e çfarë emri të vijë për mbarë.

Një trajektore e pabesueshme, me topin që u duk se po shkonte drejt parkingut të stadiumit dhe Fabian Bartez as lëvizi vendit, i sigurt që topi shkonte jashtë (jo se kishte shans ta kapte, edhe sikur të donte).

Vetë Roberto Karlos, i pyetur edhe dy dekada më vonë, thotë: “Nuk e kam idenë fare si e shënova… Frynte pak erë, topi ishte i lehtë. Ndoshta godita shumë fort dhe topi nisi të rrotullohej aq fort sa era t’i ndryshonte drejtimin, por atë ditë edhe Zoti më ndihmoi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *