Pep: Herët a vonë do të fitojmë Ligën e Kampionëve!

Tekniku i Mançester Sitit u shpreh optimist për ndeshjen e kthimit përballë Liverpulit. Strategu spanjoll beson ende tek kualifikimi

Mançester Siti pret Liverpulin ditën e sotme në ndeshjen e kthimit, e vlefshme për çerekfinalet e Ligës së Kampionëve. Sfida e parë në Liverpul pa të besuarit e Guardiolës të shkatërroheshin nga të kuqtë e Jurgen Klop, me rezultatin 3-0, por jo vetëm kaq. Përveç rezultatit të thellë, Siti dështoi të bënte edhe një goditje një kuadrat. Të gjitha tentativat e djemve të Guardiolës ishin jashtë katërkëndorit të mbrojtur nga Karius. Ndeshja e kthimit pritet të jetë shumë më ndryshe se ndeshja e parë dhe këtë gjë e pohoi dhe vetë Guardiola. Tekniku spanjoll tha se skuadra e tij do të bëjë ndeshjen perfekte përballë Liverpulit dhe do të kualifikohet për në gjysmëfinale.

Guardiola

Gjatë ditës së djeshme, Guardiola mbajti konferencën e tij të zakonshme për shtyp para ndeshjeve. Strategu spanjoll u shpreh shumë optimist për sfidën kundër Liverpulit dhe ka besim të plotë tek përmbysje. Shkak për këtë është dhe ndeshja e parë në kampionat mes dy skuadrave, takim ky që pa Sitin të shkatërronte Liverpulin me rezultatin 5-0. Në deklaratën e tij, Pep u shpreh: “Na duhen tituj në Evropë. Klubi ka bërë një punë fantastike këto dhjetë vitet e fundit. Kushtet që janë krijuar këtu nuk janë në asnjë skuadër tjetër. Kam besim se suksesi në Evropë do të vijë shumë shpejt. Nëse nuk ndodh këtë sezon, ndoshta sezonin tjetër. Nuk i dihet. Por një gjë është e sigurt, që herët a vonë do ta fitojmë Ligën e Kampionëve!”

Siguria e tifozëve

Në ndeshjen e parë në “Anfield Road”, autobusi i Sitit u sulmua nga tifozët e Liverpulit. Kjo gjë ka acaruar jo pak teknikun spanjoll, i cili ka ironizuar gjatë gjithë javës me sigurinë e stadiumit të Liverpulit. Gjithashtu, Pep siguroi se lojtarët dhe tifozët e Liverpulit nuk do të sulmohen në asnjë moment. “Që kur kam ardhur tek Siti, asnjë nga ekipet kundërshtare nuk është sulmuar nga tifozët tanë. Edhe të jeni të sigurt se nuk ka për të ndodhur as në të ardhmen, të paktën sa të jem unë këtu. As lojtarët e Liverpulit nuk do të sulmohen, dhe për këtë të jeni të sigurt”,- tha Guardiola.

Ndeshja perfekte

Edhe pse Guardiola beson tek përmbysja, pranoi se skuadra e tij duhet të bëjë ndeshjen perfekte në mënyrë që të mposhtë Liverpulin. “Jemi ende në lojë, pavarësisht rezultatit të parë. Në rast se ne bëjmë ndeshjen perfekte, jemi në gjysmëfinale. Duhet të krijojmë shumë raste dhe t’i shfrytëzojmë në maksimum. Gjithashtu, duhet të mbrohemi mirë ndaj një skuadre që ka treguar se di të shënojë. Duhet të shënojmë golin e parë sa më shpejt të jetë e mundur dhe më pas të provojmë vazhdimisht, deri sa të marrim atë që duam”,- mbylli Guardiola.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *