Pjeshka: Mendjen te Laçi, jo te pagat

Në fillim Kastrioti, i kaluar me sukses, e më pas Laçi. Këto janë dy ndeshjet e Vllaznisë, sot në kupë dhe në fundjavë në kampionat. Për atmosferën në kampin kuqeblu para këtyre ndeshjeve, në konferencën e shtypit është paraqitur mbrojtësi Denis Pjeshka. Fillimisht ai është ndalur te ndeshja e javës së kaluar në Gjirokastër, përballë Luftëtarit, duke theksuar se barazimi duhet konsideruar një rezultat i mirë: “Barazimi është rezultat i pranueshëm, pavarësisht se jemi futur në lojë për të marrë tri pikë. Një barazim jashtë fushe është mirë për ne”, – është shprehur Pjeshka. Sipas tij, Vllaznia ka gabuar me Teutën brenda, por ka bërë mirë në dy ndeshjet e tjera jashtë. Megjithatë, ai thotë se ekipi nuk mund të shikohet në tri javët e para, ndaj beson se ka kohë për të dhënë një mendim më të saktë.
Qendra e mbrojtjes Pjeshka-Orelesi: kjo është zgjedhja, që trajneri Armando Cungu ka bërë për qendrën e mbrojtjes kuqeblu. Një zgjedhje, që për Pjeshkën po funksionon në mënyrën më të mirë, falë ambientimit që Orelesi ka pasur me këtë rol. “Besoj se jemi përshtatur shumë mirë që në momentin kur Orelesi është bërë pjesë e Vllaznisë. Mendoj se jemi harmonizuar me njëri-tjetrin dhe kështu shpresoj të vazhdojmë më tej”, pohon Pjeshka.
Rrogat, skuadra është e qetë
Nuk i ka shpëtuar as Pjeshka pyetjes për çështjen e rrogave, për të cilën ka theksuar se lojtarët janë të qetë, pasi çdo gjë është garantuar nga bashkia: “Çdo gjë është e garantuar. Problemi i rrogave nuk më takon mua dhe mendoj se kur futemi në fushë nuk ndikon aspak”, – tha shkurt për këtë temë Denis Pjeshka, duke mos dashur të komentojë më shumë. Në fakt, çështja e pagave është bërë e ditur se pritet të zgjidhet sot, në mbledhjen e Asamblesë së Klubit të Futbollit Vllaznia.
Laçi dhe objektivi për tri pikë
Edhe pse përqendrimi i kuqebluve thuhet se është te ndeshja e sotme me Kastriotin, transferta e Laçit në fundjavë është e një rëndësie të veçantë. Këtë e pranon edhe Pjeshka, duke i konsideruar komshinjtë veriorë si një skuadër të fortë. Ai është optimist për përballjen e fundjavës. “Barazimi i marrë me Luftëtarin na ka përmirësuar anën morale. Në fakt, në çdo ndeshje futemi për të fituar, pavarësisht se janë tre rezultate në lojë. Edhe në ndeshjen e Laçit duhet të futemi në lojë për 3 pikët”, – ka përfunduar Pjeshka.

Gaspër Marku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online