14 vite së bashku, Frankfurti ndahet nga “Mbreti i futbollit” Majer

Më 19 maj Aintrahti i Frankfurtit fitoi Kupën e Gjermanisë, duke mundur bujshëm Bajernin e Mynihut në finale. Ishte ndeshja e fundit e trajnerit Niko Kovaç në stol, por ishte edhe ndeshja e fundit e sulmuesit Aleksandër Majer me fanellën e klubit ku ka kaluar thuajse gjithë karrierën. Nuk ishte as në stol në finale, por tifozët e kërkuan me ovacione. E quajnë “Mbreti i futbollit” dhe ai doli në skenë, ngriti kupën në ajër dhe u kthye sërish në rreshtin e pasmë. Ishte suksesi më i madh në karrierë për Majer, i cili e mbylli në mënyrën perfekte, sepse tashmë nuk do të jetë më pjesë e Frankfurtit.

Pas 14 vitesh, sulmuesi 35-vjeçar duhet të gjejë ekip tjetër. E dhimbshme, aq më shumë që bëhet fjalë për një lojtar që ka shënuar 93 gola në Bundesligë (119 në total) për Frankfurtin, duke qenë shënuesi i katërt më i mirë në historinë e klubit, pas Bernd Hëlcenbjnn (160), Jyrgen Grabovski (108) dhe Bernd Nikel (138). Tifozët do ta kujtojnë gjithnjë si një ndër më të mëdhenjtë në historinë e Aintrahtit.

14 vite me fanellën e Shqiponjave, 336 ndeshje në Bundesligë dhe Bundesligën 2, pa e tradhtuar kurrë klubin që e ka emëruar kapiten edhe në sezonin e fundit, edhe pse Majer luajti vetëm një ndeshje, pasi ishte një sezon ters, me një dëmtim të rëndë pësuar që në verë: më 5 maj kundër Hamburgut u fut në minutën e 87-të dhe 4 minuta më vonë shënoi. Një sezon, 4 minuta futboll, 1 gol: rekord i dhimbshëm.

Tani Majer nuk do të rinovojë, klubi ka vendosur të zgjedhë rrugë tjetër, duke besuar tek të rinjtë. Megjithatë, Majer nuk do e mbyllë me futbollin, edhe pse nuk e fsheh zhgënjimin: “Jam i trishtuar, është një fund i hidhur, ëndërroja ta mbyllja karrierën te Frankfurti. Ndihem në formë, kam punuar shumë për t’u riaftësuar në muajt e fundit dhe dëshiroj të luaj futboll, kjo është kryesorja për mua. Nuk e di ende të ardhmen, nuk e imagjinoj dot të kthehem nga pushimet dhe të mos shkoj në stërvitje me Frankfurtin”. Drejtori sportiv Fredi Bobiç ia ka lënë dyert të hapura: “E dimë sa vlerë ka Aleks Majer për klubin tonë. E duam pranë nesh, trajner moshash apo ambasador, mund të zgjedhë vetë, kur ta mbyllë me futbollin”. Edhe një ndeshje me fanellën e Frankfurtit Majer do ta luajë, por do të jetë ndeshja e lamtumirës, një përqafim i fundit me të gjithë, sepse lamtumira nga Frankfurti nuk erdhi në stadiumin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *