Vllaznia një tjetër firmë, Brunild Pepa kuqeblu

0

 

Ish-sulmuesi i Bylisit për dy vite do të jetë pjesë e projektit kuqeblu; drejtuesit paralajmërojnë se merkato do të vazhdojë edhe me emra futbollistësh të tjerë nga brenda dhe jashtë vendit

Gaspër MARKU

Kuqeblutë nuk dinë të ndalen në merkato. Dje ato kanë firmosur edhe me një emër të njohur të kampionatit të Superligës shqiptare. Bëhet fjalë për Brunild Pepën, sulmuesin lushnjar që sezonin e kaluar luajti për ngjyrat e Bylisit. Shkodranët, dhe në veçanti stafi teknik i Vllaznisë, ia njohin mirë vlerat këtij futbollisti. Në të gjitha ballafaqimet e vështira, që kuqeblutë kanë pasur gjatë sezonit të kaluar me ballshiotët, sulmuesi Pepa ka qenë me të vërtetë ndër futbollistët më problematikë të skuadrës kundërshtare. Nga sa bëhet e ditur në klubin e futbollit Vllaznia për Pepën është tentuar edhe në janar për ta veshur kuqeblu, por për arsye të ndryshme nuk u arrit një gjë e tillë. Ndërkohë që tani, pas pikasjes dhe insistimit edhe të trajnerit Cungu, administratori i klubit kuqeblu, Astrit Gjyrezi, arriti të gjejë gjuhën e përbashkët me vetë futbollistin dhe menaxherin e tij. Ndonëse nuk bëhen të ditura shifrat financiare, ajo që konfirmohet zyrtarisht nga klubi është se kontrata e 26-vjeçarit Brunild Pepa do të jetë dyvjeçare me Vllazninë. Me firmosjen e lushnjarit të Bylisit me Vllazninë, skuadra kuqeblu duket se ka gjetur sulmuesin e kërkuar, por gjithsesi, për të siguruar një vend në njëmbëdhjetëshin e parë të kuqebluve, Pepës do t’i duhet të rivalizojë edhe me sulmuesin aktual shtatlartin Arenc Dibra. Ndërkohë që nga ana tjetër drejtuesit thuhet se janë në kërkim edhe për një tjetër sulmues të mirëfilltë, piketimi i të cilit thuhet se është bërë në shtetin fqinjë të Malit të Zi. Përpos sulmuesit, shkodranët janë në kërkim dhe thuajse kanë arritur akordin edhe me një mesfushor nga Gana, që luan në kampionatin malazez, si dhe në të njëjtën kohë edhe me një portier, edhe ai nga kampionati i shtetit fqinjë. Zyrtarizime këto që, siç bëhet e ditur nga burime brenda klubit Vllaznia, pritet të realizohen nga fillimi i javës tjetër. Nga ana tjetër, ndonëse në opinionin sportive shkodran, apo edhe në burime të ndryshme mediatike, është folur edhe një mundësi që mbrojtësi shtatlartë Ditmar Bicaj, ish futbollist i disa skuadrave të Superligës, së fundmi i Partizanit, mund të bëhej pjesë e Vllaznisë. Burime pranë klubit kuqeblu, apo edhe vetë lojtari në fjalë nuk e konfirmojnë një gjë të tillë.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here