“100 vite histori, vetëm Suad Lici ka çuar në gjyq Vllazninë”! Vjerdha shpërthen: Një gjë nuk kuptoj, si ka mundësi që e toleron…

Këshilltari bashkiak, Arbis Vjerdha, ka qenë një prej personave që e ka ngritur zërin më së tepërmi në Asamblenë e fundit ku u miratua edhe buxheti i Vllaznisë, duke pasur debate të ashpra me administratorin Suad Lici. Për ta nisur që nga akademia, ku sipas Vjerdhës janë vetë familjarët ata që paguajnë për bazën materiale të fëmijëve të tyre. Gjithashtu duke u shprehur se ka një menaxhim të dobët të klubit, gjë kjo e cila ka çuar edhe në tone të ngritura mes palëve.

Së fundmi në një intervistë për “Tv 1 Channel”, këshilltari bashkiak ka sërish disa pyetje të ngritura ndaj Licit. Pika kryesore që përmend dhe nuk mund ta kuptojë, është fakti sesi një njeri si Suadi që ka luajtur edhe vetë futboll, toleron sportistë që nuk vrapojnë as sa çereku i tij në kohën kur ishte në fushën e blertë.

“Këta thonë që përse nuk është Voltana në mbledhje. Jo jo, Voltana është presidente e SH.A dhe ka vlerë juridike. Po ajo e ka vendosur atë robin atje që është profesionist dhe quhet administrator dhe merr lekët. Atij i kërkon llogari Voltana, çfarë doni ju me Voltanën për marrëzirat e Suadit që më thotë mua me injorancën tënde shko merru me injorantët e tu. Suad Lici thotë që akademia është e fryrë. Po shfryje mo zotëri akademinë! Na sill një projekt dhe thuaj që akademia merr shumë lekë sepse ka 4 apo 7 persona tepër. E dyta, thirre akademinë dhe të dëgjojmë ankesat e tyre. E treta, unë kam shkuar vetë te akademia dhe drejtuesit janë treguar pak të ngurtë sepse i luhet rroga, normale. Por mua më thonë prindërit që janë gati të ikin edhe në Prokurori, që i kemi paguar ne lekët. Po ia them tre herë Suad Liçit që i kanë paguar ata lekët, të topave dhe gjithçka tjetër. Lici ka marrë lekë nga UEFA, shuma që nuk figurojnë askund dhe u ka blerë para disa viteve kostume me ato lekë. Janë të UEFA-s, jo të Vllaznisë.

Pastaj thotë që thuaji atyre injorantave të tu. Nuk ka problem mo, do ta vazhdojmë këtë punë dhe ta shohim kush është injoranti. Në momentin që një sportist shumë i nderuar si Suadi, që vërtet ka qenë talent, por lojtarët e Vllaznisë nuk vrapojnë në fushë as sa çereku i Licit. Si ka mundësi që një administrator e toleron një gjë të tillë? E kam të paimagjinueshme, që një sportist të vijë në palestrën time dhe të bëj më pak sesa kam bërë vetë. Ose i them ik se nuk je për këtë punë.

Problemi tjetër është se na sfidon duke na thënë që ta dërgojmë në Prokurori. E dërgojmë edhe aty, por unë nuk kam qef që ta dërgoj një sportist në prokurori. Sidomos një sportist që ka luajtur me Vllazninë. Më barazon me veten, sepse është i vetmi sportist në historinë 100-vjeçare të klubt që ka hedhur Vllazninë në gjyq. Nuk bie në nivelin e tij, nuk bie në nivelin e Suadit që ka hedhur Vllazninë në gjyq. Por gjithsesi nuk e përjashtoj si mundësi”, tha Vjerdha. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *