10 transferimet më të shtrenjta në botë, Ronaldo “firmos” dy herë

Kristiano Ronaldo është futbollisti më i ndjekur në botë dhe ylli portugez, ka fituar kudo ku ka shkelur. Reali i Madridit pagoi plot 80 milionë sterlina në vitin 2009 për ta marrë nga Mançester Junajtid, ndërsa 9 vite më vonë, Juventusi pagoi 99 milionë sterlina për ta transferuar në Torino.

Të dy transferimet e 33-vjeçarit bëjnë pjesë në 10 transferimet më të shtrenjta në historinë e futbollit, i vetmi futbollist që e bën një gjë të tillë. Po kush janë 10 transferimet më të shtrenjta në histori?

10 – Kepa Arrizabalaga, Çelsi (72 mln sterlina, 2018)
Në fillim të këtij sezoni, Blutë e Londrës paguan një shumë të çmendur për të siguruar firmën me portierin e talentuar spanjoll. Pritjet dhe paraqitjet e tij kalojnë në plan të dytë, pasi Kepa do të mbahet mend vetëm për sherrin që bëri me trajnerin Sarri, duke mos pranuar të zëvendësohej në finalen e Carabao Cup.

9 – Gonzalo Higuain, Juventus (75 mln sterlina, 2016)
Pas një supersezoni me Napolin, Higuain iu bashkua rivalëve të Juventusit, gjë që acaroi jo pak tifozët napolitan. Dy sezone me “Zonjën” dhe një transferim te Milani, që zgjati vetëm 6 muaj.

9 – Romelu Lukaku, Junajtid (75 mln sterlina, 2017)
Bomberi belg bëri një sezon të parë shumë të mirë nën urdhrat e Murinjos, por këtë sezon që lamë pas, ishte shumë zhgënjyes. Një transferim drejt Serie A duket shumë i mundur për të.

9 – Virxhil Van Dijk, Liverpul (75 mln sterlina, 2017)
Mbrojtësi më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Blerja më e mirë e Liverpulit në dekadën e fundit dhe ndoshta mbrojtësi më i mirë në botë për momentin!

8 – Kristiano Ronaldo, Real Madrid (80 mln sterlina, 2009)
I shpejtë, driblues, goleador dhe në majë të futbollit. Vetëm 1 vit pasi fitoi “Topin e Artë” me Mançester Junajtid, ylli portugez zgjodhi Realin e Madridit për të vazhduar karrierën, pjesa tjetër është histori!

7 – Gareth Bejl, Real Madrid (86 mln sterlina, 2013
Së bashku me Kristiano Ronaldon dhe Karim Benzema, Bejl plotësoi një nga treshet më të frishme të sulmit në dy sezonet e tij të para te “Los Blancos”. Sezonet e fundit, nuk është më një ndër të preferuarit…

6 – Pol Pogba, Junajtid (93 mln sterlina, 2016)
I ardhur me shumë bujë te “Djajtë e Kuq”, Pogba fitoi tre trofe në sezonin e tij të parë, përfshirë këtu dhe “Europa League”. Këtë sezon, ishte pjesë dhe e formacionit më të mirë në Premier League.

5 – Kristiano Ronaldo, Juventus (99 mln sterlina, 2018)
Transferimi më i bujshëm i shekullit u cilësua. Me të drejtë, pasi pak e mendonin se Kristiano Ronaldo do t’i bashkohej “Zonjës së Vjetër”. Lider absolut në Serie A, kampion Italie. Në Champions, u eliminuan nga Ajaksi, por Ronaldo është shprehur publikisht se sezonin e ardhshëm do të bëjnë të pamundurën!

4 – Ousmane Dembele, Barcelona (135.5 mln sterlina, 2017)
Një talent shumë premtues, francezi ka vuajtur që të ruajë vazhdimësinë te katalanasit. Edhe këtë sezon, ka vuajtur shumë nga dëmtimet, por kur ka qenë në formë optimale, ka treguar grimca të potencialit që ka.

3 – Filipe Kutinjo, Barcelona (146 mln sterlina, 2018)
Blerja më e shtrenjtë në historinë e Barcelonës. Braziliani pritej të zëvendësonte Nejmar dhe së bashku me Mesin e Suarezin, të plotësonte një treshe të frikshme në sulm. Ende nuk ia ka dalë…

2 – Kilian Mbape, PSG (166 mln sterlina, 2018)
“Djalosh i Artë” ka botën në duart e tij. Kampion i Francës me PSG-në dhe Monakon, kampion bote me Francën duke mbajtur numrin 10 mbi shpinë. Mbape është një kampion i lindur dhe me këto ritme, do të jetë ai që do të pushtojë futbollin në vitet e ardhshme.

1 – Nejmar, PSG (200 mln sterlina, 2018)
Futbollisti më i shtrenjtë në historinë e futbollit. Klas i lartë dhe vizion fantastik, magjistar në fushën e lojës. Jashtë saj, problematik, por mbetet një nga futbollistët më të mirë dhe më të dashur në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *