10 momentet e SuperXhixhit, nga debutimi në A te “Zonja”, Berlini, “ferri” Calciopoli dhe rikthimi në maja

Thuajse 23 vjet protagonist: tituj, trofe dhe rekorde. Dhe, ai mallkim i quajtur Champions, gjithmonë pranë, aq sa edhe larg…

Të analizosh karrierën e Xhixhi Bufonit është pak a shumë si të tregosh 22 vite jete të jetuara mes shumë aventurash, emocionesh, pasionesh, dëshirash, vuajtjesh, sakrificash, triumfesh, zhgënjimesh dhe frike… Histori të një vendi, që ai çoi në majën e botës në vitin 2006. Rekorde të arritura njëra pas tjetrës, triumfe të paharruara dhe shumë Juventus. Klubi që Xhixhi nuk braktisi edhe pas çështjes “Calciopoli” dhe pasoja e rënies nga kategoria, pra në Serinë B, e dekretuar në tavolinë. E pamundur që të sintetizosh një karrierë me shumë mundësi e papërsëritshme dhe sigurisht e përjetshme. “Gazzetta dello Sport” ka provuar në listojë 10 momente që kanë shënuar historinë e tij futbollistike.

19 NENTOR 1995: DEBUTIMI NE A
Luhet Parma-Milan dhe portieri titullar i emilianëve, Luka Buçi është i dëmtuar. Nevio Skala zgjedh që të mos hedhë në fushë portierin e dytë, Alesandro Nista, por 17-vjeçarin Bufon. Xhixhi është më i miri në fushë në ndeshjen e tij të parë nga 168 me fanellën verdheblu dhe nota që merr është “8”. “Por, meritoja 10”, do të shprehej me shaka, por jo edhe aq, vite më pas. Dhe, sezonin pasardhës do të bëhej titullar i padiskutuar i portës së dukalëve.

29 TETOR 1997: DEBUTIMI AXURR
Pasi luajti me të gjitha moshat e përfaqësueses, duke e nisur nga U-15, Bufon debuton në Rusi-Itali 1-1, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Francë 1998”. Çezare Maldini e hedh në fushë në vend të Paljukës, që u dëmtua gjatë ndeshjes dhe u zëvendësua në minutën e 32 të pjesës së parë.

1998/99: TROFETE E PARE ME PARMEN
Sezoni i parë i sukseseve është ai 1998/1999: te Parma e drejtuar nga Alberto Malezani luajnë futbollistë si Turam, Kanavaro, Veron, Kieza dhe Krespo. Emilianët ngrenë Kupën UEFA në vitin 1998, duke mundur në finale Olimpik Marsejën dhe Kupën e Italisë pas një finale të dyfishtë ndaj Fiorentinës.

VERA 2001: NGA PARMA TE JUVENTUSI
Eshtë një verë e çmendur dhe e pabesueshme për sa i përket merkatos së Juventusit. Moxhi perfeksionin shitjen e Zidanit te Real Madridi për 150 miliardë lireta, rekord absolut deri atëherë. Juventusi, besnik i filozofisë së autofinancimit, i investon ato para për Turam, Salas, Nedved dhe Bufon, i paguar 75 miliardë. Do të fitojë 9 tituj (plus dhe dy të fituar në fushë, por më pas të hequr), 6 Superkupa Italie dhe 5 Kupa Italie.

28 MAJ 2003: FINALJA E MANÇESTERIT
Në “Old Trafford” luhet finalja e Champions League (edicioni 2002-2003) me një derbi italian. Luhet Milan-Juventus. Pasi eliminoi Barcelonën dhe Real Madridin, Juventusi mbërrin me penallti, që 7 vjet më parë e kishin shpërblyer me Ajaksin. Xhixhi pret goditjet e Sedorfit dhe Kaladzes, por Dida bën më mirë dhe kupa është e kuqezinjve (2-3). Bufon është futbollisti më i mirë i Champions, i pari portier që arrin atë çmim.

9 KORRIK 2006: ITALIA KAMPIONE BOTE
Pas një galopimi të çmendur, Kombëtarja e Marçelo Lipit mund Francën 6-4 me penallti (1-1 rezultati pas 120 minutash) dhe është kampione bote për të katërtën herë. Suksesi vjen edhe falë një ndërhyrje fantastike të Xhixhit te goditja me kokë nga Zidan, pritja simbol e turneut.

VERA 2006: FERRI CALCIOPOLI
Në vitin 2005 dhe 2006 (trajner Fabio Kapelo), Bufon fiton titullin me një nga Juventuset më të fortë të të gjitha kohërave. Por, për shkak të “Calciopoli”-t, titulli i parë do t’i hiqet dhe i dyti i dorëzohet Interit. Juventusi dërgohet në Serinë B dhe në tavolinë penalizohet edhe më 9 pikë. Xhixhi, bashkë me Del Pieron, Trezege, Nedved dhe Kamoranezi, pranon kategorinë e dytë për sezonin 2006-2007. Eshtë gjesti me të cilin hyn në zemrat e juventinëve, duke mos dalë më.

6 MAJ 2012: KTHEHET SUKSESI
Juventusi e rinis nga një vend i shtatë i tmerrshëm që e lë jashtë kupave. Por, në pankinë është një emër që zgjo entuziazmin e tifozëve, ai i Antonio Kontes. Dhe, është shtëpia e re, “Juventus Stadium”. Bardhezinjtë, me një skuadër aspak të përgatitur me konkurrencë, Milani mbi të gjitha, dy javë nga fundi fitojnë në Kaljari dhe arrijnë titullin, që hap rrugën për atë që do të jetë praktikisht rekordi absolut me shtatë kampionate radhazi. Gjashtë vjet pasi preku fundin, Juventusi rilind, me Xhixhin në portë.

KAPITENI XHIXHI
Në finalen e Kupës së Italisë, më 20 maj 2012, me Napolin mbyllet karriera e Alesandro del Pieros me fanellën e Juventusit. Nis epoka “Bufon”, që bëhet zyrtarisht kapiteni dhe një vit më pas, në 2013, fiton titullin e parë me shiritin në krah.

MALLKIMI CHAMPIONS
I vetmi peng në karrierën e Bufonit do të mbetet mosarritja e Champions League, që është “prekur” në katër edicionet e fundit. Në vitin 2015, Juventusi humbet në Berlin ndaj Barcelonës, pasi Tevez shpërdoroi përballë portës rastin për 2-1. Në 2017 vjen tragjedia e Kardifinit, ku Reali pas një pjese të parë të ekuilibruar, bën fërtele bardhezinjtë me një 4-1 final. Ndeshja e fundit europiane mbetet ajo e 11 prillit të shkuar, në “Bernabeu” të Madridit, e mbyllur me të bërtiturat në fytyrën e arbitrit Oliver, pas penalltisë së dyshimtë të vërshëllyer për Realin, në kohë shtesë, një gjest që i solli edhe kartonin e kuq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *