10.000 të abonuar, në kategorinë e katërt!

0

E imagjinoni dot një ndeshje qytezash të vogla apo fshatrash, le të themi Luzi-Domosdova e Prrenjasit, që të ndiqet nga 5000 tifozë? Po, nuk ka për të ndodhur kurrë, për sa kohë bëhet fjalë për një ndeshje të kategorisë së tretë. OK, ka luajtur Partizani në të tretën, por zor se i kaloi ndonjëherë 1000 tifozët, sepse vetëm besnikët i shkonin në ndeshje, jo si tani, ku të gjithë janë kujtuar që Partizani është klub i madh dhe lufton për titull.

Ndërkaq, një leksion për të gjithë vjen nga Polonia, aty ku klubi i njohur Vidzev Lodz luan në kategorinë e katërt dhe ka 10.000 të abonuar!

Klubi, i cili ka fituar disa herë titullin në Poloni, falimentoi para dy vitesh dhe e nisi nga zero, në kategorinë e pestë. Megjithatë, bashkia vazhdoi projektin për ndërtimin e stadiumit të ri me 18.000 vende dhe në këtë moment janë shitur mbi 10.000 abonime sezonale, por shifra po rritet dita-ditës.

Lodz është një qytet sa Tirana, ka edhe një klub tjetër, LSK Lodz, edhe ai i rrënuar, në kategori të katërt.

Çmimet e abonimeve janë si në Ekstraklasa, sa për të kuptuar përmasat e asaj që po ndodh, ndërsa Legia e Varshavës ka numrin më të madh të abonimeve këtë sezon, me 11.500 të tilla.

Për pak javë Vidzev mund ta kalojë, duke vendosur një rekord historik në Poloni e jashtë saj. Sa për krahasim, Parma në Itali falimentoi dhe luajti në kategorinë e katërt vjet, me 9000 të abonuar.

E imagjinoni Vllazninë a Elbasanin me 10.000 të abonuar në sezon? Nuk po shtojmë klub tjetër, sepse vetëm këto dy klube kanë stadium aq të madh sa të futen 10.000 tifozë në çdo ndeshje…

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here